Kur Perëndimi përçahet, gjëma ndihet edhe në Ballkan

Për Kosovën nuk do të ishte hera e parë që Rusia kërkon hise në fatin e saj. Nga kundërshtimi i intervenimit të NATO-s më 1999, te krahasimi me Krimenë e aneksuar dhe bllokimi i njohjeve ndërkombëtare, Moska ka luajtur vazhdimisht rolin e kundërshtarit të shtetësisë së saj.
Sot, kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe BE-së janë të tensionuara, ky ndikim rus rrezikon të bëhet edhe më i hapur.
Këtë javë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, konfirmoi se Moska ka hapur kanale komunikimi me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në Ballkan dhe se është e gatshme t’i thellojë ato. Ai, gjithashtu, la të kuptohet se edhe amerikanët duan të angazhohen.
“Ne kemi më shumë mundësi për të komunikuar me SHBA-në [sesa me BE-në] për Ballkanin – veçanërisht për Bosnje e Hercegovinën dhe vendet e tjera të rajonit. Kontaktet e tilla po vazhdojnë. Ato ende nuk kanë sjellë rezultate pozitive ose të qarta. Por, ne jemi të hapur për këto kontakte dhe, mësa mund të gjykoj, edhe kolegët tanë amerikanë janë të gatshëm t’i zhvillojnë”, tha Lavrov, shkruan REL.
Radio Evropa e Lirë pyeti Departamentin amerikan të Shtetit nëse SHBA-ja po diskuton me Rusinë për Kosovën, Bosnjën apo vendet e tjera të Ballkanit, si koordinohet me Evropën dhe si e vlerëson rolin e Moskës në rajon, por nuk mori asnjë përgjigje që nga 20 janari.
Bashkimi Evropian theksoi se nuk mund t’i konfirmojë shkëmbimet e mundshme mes palëve të treta.
“BE-ja është partneri kryesor politik, ekonomik dhe strategjik i Ballkanit Perëndimor dhe është plotësisht e angazhuar në rajon”, tha një zëdhënës i bllokut për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria në detyrë e Kosovës nuk i komentoi deklaratat e Lavrovit, por kryeministri Albin Kurti, në një ngjarje në Davos, paralajmëroi për kërcënimin e tërthortë që i vjen Kosovës nga Rusia përmes Serbisë – të dyja shtete që s’e njohin pavarësinë e saj.
“Kushdo që ndihmon fqinjin tonë verior në përpjekjet për të na destabilizuar, na shkakton probleme edhe neve. Kërcënimi ynë më i afërt në këtë drejtim është Federata Ruse”, tha Kurti.
