Dy fitore të mëdha, një mesazh i qartë: Carrick kërkon vazhdimësi te United

Manchester United po jeton një moment pozitiv nën drejtimin e Michael Carrick, i cili pas fitores dramatike 3-2 ndaj Arsenalit theksoi se skuadra duhet ta shfrytëzojë energjinë dhe vetëbesimin e krijuar. Pas shkarkimit të Ruben Amorim, Carrick ka nisur fuqishëm aventurën e tij, duke mposhtur fillimisht Manchester Cityn 2-0 dhe më pas liderët e Premier League, Arsenalin, çka e ka ngjitur Unitedin në vendin e katërt në tabelë.
Trajneri i përkohshëm vlerësoi karakterin e ekipit, i cili reagoi pas disavantazhit në pjesën e parë dhe përmbysi rezultatin me gola spektakolarë nga Bryan Mbeumo, Patrick Dorgu dhe Matheus Cunha. Ai pranoi se kishte momente ku skuadra u detyrua të mbrohej thellë, por e cilësoi paraqitjen si të plotë, me balancë mes luftës, mbrojtjes dhe cilësisë në sulm.
“Duhet ta shfrytëzojmë situatën dhe të përdorim emocionin, duhet të përdorim energjinë dhe vetëbesimin”, u shpreh Carrick. “Duhet të jesh mjaftueshëm modest për të kuptuar se si mund t’i arrijmë këto dy rezultate të mëdha. Nuk është thjesht e lehtë, kështu që duhet ta vazhdojmë këtë, ta mbushim në shishe dhe ta përdorim përsëri.”
I vendosur në krye të ekipit deri në fund të sezonit, Carrick shmangu diskutimet për të ardhmen e tij afatgjatë, duke nënvizuar se fokusi mbetet te ndeshja e radhës dhe ndërtimi i zakoneve të mira. Sipas tij, grupi ka reaguar shkëlqyeshëm në këtë periudhë të shkurtër, ndërsa objektivi kryesor është vazhdimësia e rezultateve pozitive.
