Policia zbulon municion dhe granata dore në një shtëpi të braktisur në Zveçan

Policia zbulon municion dhe granata dore në një shtëpi të braktisur në Zveçan

Sot, rreth orës 11:20, njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, pas pranimit të informacionit nga qytetarët se në një lokacion në fshatin Rudar i Vogël, komuna e Zveçanit, mund të gjendeshin armë dhe municion, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Sipas njoftimit, në një shtëpi të braktisur dhe të pabanuar, gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar: 9 granata dore, 538 fishekë dhe 3 karikatorë për armë automatike.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka trajtuar mjetet shpërthyese në mënyrë të sigurt. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftim.

Policia tha se lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar.

Dje, Policia e Kosovës ka sekuestruar 156 kilogramë eksploziv komercial në rrugën e Jagnjenicës, në komunën e Zubin Potokut, në një lokacion të pabanuar.

Sipas të dhënave zyrtare, eksplozivi është i prodhuar nga kompania serbe “Trayal Korporacija A.D.” nga Krushevci i Serbisë.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë