Rama letër të hapur Kurtit: Zhbllokoni Unazën e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, duke kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të projektit të Unazës së Kryeqytetit, që sipas tij ka mbetur i bllokuar në nivel qendror për më shumë se katër vjet, pavarësisht gatishmërisë së Komunës, raporton KosovaPress.
Në letrën e publikuar në Facebook, Rama ka theksuar se Unaza e Prishtinës është projekt me rëndësi kombëtare dhe pjesë e rrjetit të autostradave të Ballkanit Perëndimor, ndërsa paralajmëroi se zvarritjet institucionale mund të çojnë në humbjen e fondeve ndërkombëtare.
Sipas tij, projekti është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në vlerë prej 206 milionë euro, ku deri në 40 për qind janë fonde grant, respektivisht deri në 82.4 milionë euro mjete të pakthyeshme.
“Unaza e Prishtinës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Ky projekt nuk është vetëm një nevojë urbane për lehtësimin e trafikut dhe rritjen e funksionalitetit të qytetit, por edhe një investim strategjik me rëndësi kombëtare dhe rajonale. Megjithatë, për më shumë se katër vjet, realizimi i këtij projekti ka mbetur i bllokuar në nivelin qendror, pavarësisht gatishmërisë së plotë teknike, ligjore dhe procedurale të Komunës së Prishtinës. Ky bllokim i zgjatur ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e kryeqytetit dhe po cenon seriozisht interesin public”, thuhet në letrën e Ramës dërguar Kurtit.
Ai ka kërkuar nga Qeveria në detyrë që të largojë menjëherë të gjitha pengesat administrative dhe institucionale për të mundësuar fillimin e punimeve, duke thënë se “ky nuk është projekt politik, por interes publik”.
