Muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ende pa seli të përhershme

Mes fosileve miliona vjeçare, veshjeve tradicionale dhe historisë së nxjerrë nga nëntoka e Trepçës, Muzeu i Mitrovicës vazhdon të tregojë rrëfimin e qytetit ndër dekada.
I themeluar në vitin 1952, si muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ky institucion sot funksionon pa një shtëpi të përhershme, por me një aktivitet të gjallë kulturor që e mban historinë, identitetin dhe komunitetin në lëvizje.
Drejtoresha e Muzeu të Mitrovicës, Nora Prekazi- Hoti, ka thënë për KosovaPress, se Muzeu i Mitrovicës konsiderohet muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, pas Muzeut Kombëtar.
Sipas Prekazi-Hoti, hapja e këtij institucioni ka qenë e domosdoshme për shkak të rolit të veçantë gjeografik dhe politik të Mitrovicës, si dhe pranisë së kompleksit të madh industrial të Trepça.
Prekazi tha se pavarësisht zhvillimit dhe aktivitetit të vazhdueshëm, Muzeu i Mitrovicës ende nuk ka një seli të përhershme.
Ajo sqaroi se muzeu fillimisht ka funksionuar në objektin komunal të Mitrovicës së asaj kohe, më pas është zhvendosur në hamamin e qytetit, ku ka operuar nga vitet ’60 deri në vitin 2009.
Prekazi- Hoti tha se ky vit ka qenë ndër më dinamikët për Muzeun e Mitrovicës, me gjashtë ekspozita të realizuara brenda tij.
Rrugëtimi kishte nisur më 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, me një ekspozitë kushtuar trashëgimisë arkitekturore të Trepçës, ku kishte vazhduar me ekspozitën “Një jetë në gajtan”, Muzeu i Mitrovicës çoi para publikut japonez rrëfimin e veshjeve tradicionale dhe punës artizanale, duke përfaqësuar Kosovën si shtet.
Drejtoresha e muzeut bëri të ditur se Muzeu i Mitrovicës, përveç ekspozitave, zhvillon çdo muaj edhe programe edukative të vazhdueshme, të cilat i dedikohen si ekspozitave të përhershme, ashtu edhe punës së përgjithshme të institucionit.
Nora Prekazi-Hoti përshkroi Muzeun e Mitrovicës si një thesar të gjallë të historisë dhe kulturës, ku fosilet, artefaktet arkeologjike dhe veshjet tradicionale rrëfejnë rrugëtimin e qytetit ndër shekuj.
Çdo koleksion, nga koha neolitike e deri te elementët e jetesës tradicionale, i jep muzeut një jetë të veçantë dhe një lidhje të prekshme me të kaluarën.
Që nga viti 2018, Muzeu i Mitrovicës ka hapur dyer drejt gjithëpërfshirjes, duke u bërë pjesë e Rrjetit Ballkanik të Muzeve dhe duke sjellë ekspozitat e tij tek komunitetet më të ndjeshme.
Drejtoresha Prekazi shpjegoi se ideja e muzeut është që vizitat të mos kufizohen vetëm një herë, por të jenë të vazhdueshme. Aktivitetet dhe ekspozitat e ndryshme gjatë gjithë vitit, së bashku me mbulimin nga mediat, e bëjnë muzeun të gjallë dhe tërheqës.
Muzeu i Mitrovicës qëndron si një urë mes kohërave, ku secili objekt dhe çdo ekspozitë flet me zë të vetin. Ai nuk është vetëm një hapësirë e së shkuarës, por një skenë ku historia dhe kultura bashkëjetojnë me kreativitetin dhe dijeninë e brezave të rinj.
Përmes aktiviteteve, programeve edukative dhe ekspozitave që udhëtojnë edhe përtej kufijve, muzeu transformohet në një vend ku kujtesa e qytetit, pasuria materiale dhe identiteti i komunitetit shpërthejnë në një rrëfim të gjallë dhe të paharrueshëm për çdo vizitor.
