Viktima mbetet e lënduar pas rrëmbimit dhe dhunës në Prizren

Katër persona të dyshuar, njëri prej të cilëve i mitur, janë arrestuar nga Policia e Kosovës pas një rasti dhune dhe rrëmbimi të një mashkulli kosovar në Prizren.
Sipas raportit të policisë, viktima dyshohet se është futur me forcë në një veturë të tipit Seat me targa vendore, pasi kishte pasur më parë kontakte në rrjetet sociale me një vajzë, e cila dyshohet të jetë nga Peja. Pas rreth një ore, viktima është liruar dhe kishte pësuar lëndime të dukshme, për të cilat i është ofruar tretman mjekësor.
Si pjesë e hetimeve, Policia ka sekuestruar veturën e përdorur në rast, katër telefona dhe një elektroshok. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i mitur është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
