FBI në Prishtinë, partneritet rutinë apo sinjal që rrëzon narrativat e Serbisë?

Të shpeshta janë bërë vizitat e agjentëve të Byrosë Federale Amerikane e Hetimeve, FBI në Kosovë. Takime të shumta me zyrtarë të institucioneve të sigurisë po konsiderohen si sinjal i qartë strategjik për marrëdhëniet e avancuara të Kosovës me SHBA-të.
Sipas njohësve të sigurisë, qasja e tillë rrit qëndrueshmërinë dhe sigurinë e brendshme të Kosovës.
Drejtori i institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka thënë për KosovaPress, se ky bashkëpunim konsolidon pozicionin e Kosovës në arkitekturën e sigurisë euro-atlantike.
Sipas Fetoshit, është një mesazh i drejtpërdrejtë që demaskon narrativen e Serbisë, e cila përpiqet në vazhdimësi ta paraqes Kosovën si burim destabiliteti në rajon.
Fetoshi ka shtuar se një hap i tillë ka një rëndësi të madhe, duke pasur parasysh edhe ftesën e Presidentit Donald Trump që Kosova t’i bashkohet Bordit të Paqes për Gazën.
Ndërsa, ish-inspektori i AKI-së, Burim Ramadani ka thënë se kjo forcon partneritetin e rrit ekspertizën në fushat kryesore të hetimeve dhe mbledhjes së informacionit.
Byroja Federale Amerikane e Hetimeve, FBI, ka sjellë në Kosovë një agjent special dhe një analist të inteligjencës, të cilët do të angazhohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe paralel me Policinë e Kosovës.
Policia ditë më parë njoftoi se ata janë pritur nga drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha. Në njoftim thuhet se bashkëpunimi do të forcojë partneritetin strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe luftimit efektiv të krimit.
