Falsifikimi i rezultateve në Prizren, 109 të ndaluar, ja çka paralajmëroi kryeprokurori

Falsifikimi i rezultateve në Prizren, 109 të ndaluar, ja çka paralajmëroi kryeprokurori

Nën dyshimet për veprën penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore, për presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit, në aksionin e sotëm në Prizren janë ndaluar 109 persona.

Në konferencë për media, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu tha se diferenca totale e keqpërdorimet me vota është mbi 68 mijë, për çka tha se kjo tregon për “dashje direkte për ta përmbysur rezultatin dhe vullnetin e qytetarëve”.

Para gazetarëve, pasditen e së premtes, Kryeziu tha se “secili që ka guxuar t’i fus duart në votat dhe vullnetin e qytetarëve është ballafaquar me forcën e ligjit”.

Sa i përket dhënies dhe marrjes së ryshfetit, ai tha se sot është zbuluar një gjë e tillë  kur “njëri prej komisionerëve ka vendosur të bashkëpunojë me Prokurorinë”.

Më tej, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren bëri të ditur se vetëm në këtë komunë janë shtuar mbi 40 mijë vota.

Në aksionin e sotëm, Kryeziu ndër tjera tha se kanë ftuar 121 persona, ku  “pesë janë liruar, përderisa 109 janë të ndaluar”.

“Sot, katër prokurorët e Departamentit të Krimeve të Rënda janë marrë me procese dhe kanë dalë edhe nëpër stacionet policore dhe kanë lëshuar 109 vendime për ndalim. Deri në momentin që po flasim i kemi 109 të ndaluar për vepra penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore, për presion dhe kanosje, e për dhënie e marrje të ryshfetit. Pra sot kemi pasur situata ku kemi fituar edhe dëshmitarë bashkëpunues, kemi pasur situata ku na kanë treguar se si kanë ardhur presionet dhe kemi pasur situata që kanë treguar edhe kush ka marrë dhe nga kush kanë marrë ryshfet”, theksoi Kryeziu në konferencë për media.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë të Krimeve Ekonomike, Luan Ibrahimi tha se ky operacion ka qenë prej më të mëdhatë që ka realizuar Policia e Kosovës.

Lidhur më atë se a janë intervistuar ndonjë kandidatë për deputetë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu tha se deri tani janë intervistuar kryesisht komisionerët dhe ata që kanë keqpërdorur me votat drejtpërdrejt, por shtoi se edhe kandidatët për deputetë do të dëgjohen.

Në konferencë për media, drejtori i Policisë në rajonin Prizrenit, Faton Alija tha se në këtë operacion kanë asistuar me personel, për çka theksoi se të gjithë ata që janë dërguar në hapësirat e stacioneve policore u janë respektuar të drejtat dhe se nuk ka asnjë të lënduar.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë