109 persona të ndaluar për manipulim të votave në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar 109 persona nën dyshimin për manipulim me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit, lidhur me veprat penale të falsifikimit të dokumenteve zgjedhore, kërcënimit dhe ryshfetit.
Kështu ka bërë të ditur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, i cili ka theksuar se sot secili që ka guxuar të ndërhyjë në vullnetin e qytetarëve është ballafaquar me forcën e ligjit.
“Deri mbi 6 mijë vota janë falsifikuar. Vetëm në një vendvotim, numri i manipulimeve ka arritur në 2 mijë e 444 vota, ndërsa në nivel regjioni ka dalë vetëm një kuti votimi e papërdorur. Mbi 40 mijë vota janë shtuar dhe mbi 27 mijë vota janë hequr, çka përbën një diferencë prej mbi 68 mijë votash. Po flasim për një organizim dhe dashje direkte për ta përmbysur rezultatin zgjedhor”, ka deklaruar Kryeziu.
Ndërkohë, lidhur me pyetjen nëse janë intervistuar kandidatë për deputetë, kryeprokurori Kryeziu ka bërë të ditur se deri më tani janë intervistuar kryesisht komisionerët dhe personat që kanë keqpërdorur drejtpërdrejt procesin e votimit, por ka shtuar se edhe kandidatët për deputet do të dëgjohen.
“Prokuroria vepron e udhëhequr nga provat. Në këtë fazë jemi duke vepruar ndaj atyre që kanë keqpërdorur në mënyrë faktike. Deri më tani nuk kemi informacione që i involvojnë drejtpërdrejt kandidatët, por besoj se edhe ata do të dëgjohen. Do të jemi të pakompromis”, ka theksuar Kryeziu.
