Ligjërata për Gjykatën Speciale në shkollën “Xhevdet Doda”, jep detaje organizata

Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR KS) ka sqaruar se sesioni informues i mbajtur në shkollën “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor dhe në kuadër të aktiviteteve të rregullta edukative që organizata zhvillon prej vitesh.
Sipas YIHR KS, sesione të tilla mbahen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës dhe në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ato janë pjesë e programit për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën.
Gjatë sesionit në fjalë, është prezantuar informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, përfshirë mandatin dhe kompetencat e tyre si institucion i Republikës së Kosovës.
YIHR KS thekson se, për më shumë se 20 vjet nga themelimi, ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme të përqendruara në të drejtat e njeriut, ballafaqimin me të kaluarën dhe fuqizimin e të rinjve dhe të rejave në Kosovë.
Organizata bën të ditur se sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit të saj afatgjatë për promovimin e drejtësisë tranzicionale dhe se do të vazhdojë angazhimin dhe aktivizmin në këtë fushë.
