Gërvalla takon homologun turk në Stamboll, flasin për paqen dhe sigurinë në rajon

Gërvalla takon homologun turk në Stamboll, flasin për paqen dhe sigurinë në rajon

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar sot në Stamboll me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.

Gërvalla ka bërë të ditur se takimi bilateral është zhvilluar me ftesë të ministrit Fidan, në kuadër të takimit të dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin.

Ajo, përmes një statusi në Facebook, ka theksuar se Turqia, si shtet mik dhe aleat i ngushtë i Kosovës, mbetet partner i rëndësishëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Sipas saj, Kosova përmes angazhimit në këtë platformë riafirmon orientimin strategjik drejt integrimit euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin për paqe të qëndrueshme, fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal.

Ministrja Gërvalla po ashtu ka vënë në dukje rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe përpjekjeve të përbashkëta për një rajon më të sigurt.

Në fund, ajo ka falënderuar ministrin Fidan për ftesën dhe mikpritjen, duke ritheksuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe rolin e Turqisë në avancimin e dialogut, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë