Ambasadori Pllana takon zëvendëssekretaren hungareze Balajthy, diskutojnë për bashkëpunim ekonomik

Ambasadori i Republikës së Kosovës, Delfin Pllana, ka zhvilluar një takim pune me zëvendëssekretaren e Shtetit për Politika të Sigurisë dhe Drejtoreshën Politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Henrietta Balajthy.
Në këtë takim u diskutua për gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë, si dhe për zhvillimet politike në të dy vendet, thuhet në njoftimin e Ambasadës në Facebook.
Palët shkëmbyen qëndrime rreth zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë dhe dinamikave të përgjithshme paraelektorale në Hungari, ndërsa u theksua rëndësia e ruajtjes së komunikimit të rregullt institucional dhe dialogut politik, raporton KosovaPress.
Po ashtu, gjatë takimit u shqyrtuan disa aktivitete kornizë që planifikohet të realizohen gjatë këtij viti, me fokus në thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe avancimin e dialogut të përgjithshëm institucional e politik ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.
