Alcaraz “fluturon” në Melbourne dhe ëndërron Grand Slam-in e plotë

Alcaraz “fluturon” në Melbourne dhe ëndërron Grand Slam-in e plotë

Carlos Alcaraz vazhdon rrugëtimin e tij të sigurt në Australian Open. Numri një i botës u kualifikua në 1/8 e finales pas një fitoreje të pastër 3-0 ndaj francezit Corentin Moutet, në ndeshjen e tij të 100-të në turnetë Grand Slam. Në Rod Laver Arena, spanjolli 22-vjeçar tregoi diferencë të qartë niveli, duke triumfuar 6-2, 6-4, 6-1 për 2 orë e 5 minuta.

Alcaraz kontrolloi takimin që nga fillimi, duke thyer shpejt shërbimin e kundërshtarit dhe duke mos e lënë asnjëherë ndeshjen të dalë nga duart. Edhe pse Moutet u përpoq të ndryshonte ritmin me servise nën sqetull, dropshot dhe goditje spektakolare, spanjolli mbeti i qetë dhe efikas, veçanërisht në setin e tretë që e mbylli pa shumë mundim. “Nuk ishte e lehtë. Kur luan kundër dikujt si Corentin, nuk e di kurrë çfarë do të ndodhë. Por u argëtova në fushë dhe mendoj se të dy dhamë pika të bukura”, u shpreh Alcaraz pas ndeshjes.

Kjo fitore kishte edhe peshë historike. Ndeshja e 100-të Grand Slam e Alcarazit e gjeti atë me një bilanc mbresëlënës prej 87 fitoresh dhe 13 humbjesh, shifër që e barazon me legjendën Bjorn Borg në të njëjtën fazë të karrierës. Në raundin e ardhshëm, ai do të përballet me amerikanin Tommy Paul për një vend në çerekfinale, ndërsa Australian Open mbetet i vetmi Grand Slam që i mungon ende në koleksionin e tij. Nëse vazhdon kështu, Alcaraz ka çdo arsye të besojë se historia mund të shkruhet edhe në Melbourne.

KosovaPress

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë