Gjiganti sportiv zbarkon në Kosovë, ja risitë që sjell Decathlon në Prishtina Mall

Decathlon, lider global në shitjen me pakicë të artikujve sportivë dhe rekreacionit, ka zyrtarizuar sot hyrjen për herë të parë në Kosovë përmes një konference për media të mbajtur në Prishtinë.
Dyqani i parë i këtij brendi pritet të hapet në pranverën e vitit 2026 në Prishtina Mall, duke ofruar pajisje dhe artikuj sportivë për mbi 70 disiplina, me standarde të larta cilësie dhe çmime të përballueshme.
Përfaqësuesit e kompanisë kanë theksuar se prania e Decathlon në Kosovë, synon ta bëjë sportin më të qasshëm për të gjithë dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik përmes vendeve të reja të punës dhe bashkëpunimit me komunitetin sportiv.
Ceo i “Prishtina Mall”, Alvaro Costa theksoi se fokusi kryesor i kompanisë mbetet zhvillimi dhe risitë.
Kurse, Ceo i “Aztech Group”, Gojart Shaqiri tha se përzgjedhja e Kosovës për zgjerim e pozicionon atë ndër tregjet më premtuese të rajonit dhe e afron më shumë me rrjedhat ndërkombëtare të biznesit.
Kryetari i Bordit të Prishtina Mall, theksoi se pavarësisht dyshimeve fillestare, është gjetur një hapësirë ideale që do të plotësojë standardet më të larta të Decathlon.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin mes partnerit francez dhe Aztech, duke shtuar se hapja e Decathlon, është veçanërisht e përshtatshme në prag të Lojërave Mesdhetare 2030.
Ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj u shpreh se shqiptarët e Kosovës kanë ditur të bëjnë biznes që herët.
Hapja e Decathlon u vlerësua si sinjal i besimit ndërkombëtar në tregun kosovar dhe si hap që e forcon pozitën e Kosovës në rrjedhat globale të biznesit dhe retail-it modern.
