Dëmtim në kofshë, Barcelona humb yllin e saj

Mesfushori i Barcelonës, Pedri, do të mungojë rreth një muaj për shkak të një dëmtimi muskulor në kofshën e djathtë, kanë konfirmuar kampionët e Spanjës. Lëndimi ndodhi gjatë fitores 4-2 ndaj Slavia Pragës në Ligën e Kampionëve, ku 23-vjeçari u detyrua të largohej nga loja në pjesën e dytë të takimit.
Pas ekzaminimeve mjekësore, klubi katalanas njoftoi se bëhet fjalë për një dëmtim muskulor që kërkon pushim dhe rikuperim afatmesëm, me kohë rikthimi të parashikuar rreth një muaj. Kjo do ta mbajë Pedrin jashtë disa ndeshjeve të rëndësishme si në arenën evropiane, ashtu edhe në kampionat.
Si pasojë, mesfushori spanjoll do të mungojë në ndeshjen e fundit të Barcelonës në fazën e ligës evropiane kundër Copenhagen, si dhe në përballjet e La Ligës ndaj Real Oviedo, Elche, Girona dhe Mallorca. Po ashtu, nëse Barcelona kualifikohet ndaj Albacetes në Kupën e Mbretit më 3 shkurt, Pedri pritet të mungojë edhe në ndeshjen e parë gjysmëfinale, duke shtuar shqetësimet për stafin teknik në një fazë vendimtare të sezonit.
