Rikthimi i papritur në horizont, Interi befason tifozët

Rikthimi i papritur në horizont, Interi befason tifozët

Interi ndodhet në një fazë vendimtare të sezonit, mes garës së hapur për titull në Serie A dhe betejës për një vend mes tetë më të mirëve në Ligën e Kampionëve. Përpara sfidës së radhës në kampionat ndaj Pisës, vëmendja e klubit nuk mund të shkëputet plotësisht nga merkatoja e janarit, sidomos për shkak të problemeve të theksuara në krahun e djathtë. Dëmtimi i Dumfries, i cili në skenarin më optimist pritet të kthehet vetëm mes shkurtit dhe marsit, ka lënë boshllëk, ndërsa paraqitjet e Luis Henrique, edhe pse në rritje, ende nuk japin garanci të plota.

Në këtë kontekst, Cristian Chivu ka qenë i qartë: Interit i duhet një lojtar i gatshëm menjëherë, me eksperiencë në nivele të larta, i aftë të përshtatet pa vonesë me realitetin e Serie A dhe skemën 3-5-2. Nuk ka hapësirë për profile që kërkojnë kohë ambientimi apo projekte afatgjata, sepse kalendari i ngjeshur nuk lejon eksperimente. Megjithatë, kombinimi mes kërkesave teknike të trajnerit dhe kufizimeve financiare të pronarëve rrezikon ta mbyllë afatin e janarit pa përforcime, nëse nuk gjendet profili i duhur me kushtet e duhura.

Në këtë situatë, emri i Ivan Perisic mbetet variabli kryesor. Kroati do të rikthehej me dëshirë te Interi, klub me të cilin ka zhvilluar 254 ndeshje dhe ku e njeh në detaje ambientin. Pengesa kryesore është PSV Eindhoven, që nuk dëshiron ta lëshojë gjatë sezonit. Megjithatë, një eliminim i mundshëm i holandezëve nga playoff-et e Ligës së Kampionëve mund ta ndryshojë këtë qëndrim. Në atë rast, Interi do të kishte përballë një lojtar 37-vjeçar, të gatshëm për një kontratë gjashtëmujore me opsion dhe pagë të moderuar, një zgjidhje ideale për nevojat emergjente të skuadrës. Chivu e di mirë këtë dhe, teksa merkatoja po shkon drejt ditëve të fundit, mbetet në pritje.

KosovaPress

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë