Abdixhiku: Rugova nuk ua ngriste zërin diplomatëve, ai e bëri Kosovën të dukshme

Abdixhiku: Rugova nuk ua ngriste zërin diplomatëve, ai e bëri Kosovën të dukshme

“Rugova nuk ua ngriste zërin diplomatëve, por ndërgjegjen e tyre”, tha kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të presidentit Ibrahim Rugova. Në këtë përvjetor u organizua akademi përkujtimore, ku morën pjesë familja Rugova dhe përfaqësues të kësaj partie.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se “Rugova nuk ishte figurë e shpejtë për një duartrokitje, por proces”.

“Rugova është proces, është rrugë e gjatë, është durim që nuk dorëzohet. Prandaj ky fjalim nuk do të jetë për të madhështuar me fjalë të mëdha njeriun që nuk ka nevojë për madhështime. Do të jetë për ta kuptuar me mendje të qetë. Sepse Rugova nuk kërkon zë të lartë, kërkon gjithmonë mendim të thellë. 20 vjet pa të, na kanë bërë të qartë një gjë: ai nuk ishte një njeri i momentit, por ishte njeri i kohës së gjatë. Dhe njerëzit e kohës së gjatë nuk përshkruhen lehtë. Ata nuk maten me një ngjarje të vetme, por me drejtimin që ia ndryshojnë historisë. Prandaj sot nuk jemi këtu për të numëruar përvjetore e vite. Jemi këtu për të pyetur veten: Çfarë bëri ai me ne? Dhe çfarë po bëjmë ne me atë që na la ai?”, ka thënë Abdixhiku.

Në këtë përvjetor, Abdixhiku tha se përkujtimi për Rugovës është përgjegjësi.

“Ka njerëz që e pushtojnë kohën me zhurmë. Ka të tjerë që e ndërtojnë kohën me qetësi. Rugova ishte i dyti. Ai nuk e kërkoi kurrë rolin e heroit, por historia ia dha rolin e themeluesit. Nuk e kërkoi as skenën, por skena u detyrua ta pranojë. Nuk kërkoi as pushtet për vete, por ndërtoi pushtetin për një popull që kishte mbetur pa shtet. Të gjitha këto tipare nuk i erdhën si mësime të jetës politike, siç mund t’i vijnë secilit politikan të kohës moderne sot, përfshirë dhe mua. Ato i erdhën si mësime jetësore, shumë para se politika të ishte në diapazonin e yjeve të tij. Rugova si i ri nuk u formua në rehati, u formua në mungesë, në humbje, në padrejtësi që të mëson herët se jeta nuk është e butë dhe se njeriu duhet të zgjedhë se si do t’i përgjigjet asaj”, theksoi Abdixhiku.

Në këtë akademi përkujtimore, Abdixhiku tha se “Rugova e kuptoi herët se njeriu që nuk e sundon dhimbjen e vet, nuk ma mund ta sundojë as fjalën e vet”.

“Kur erdhën vitet më të rënda për Kosovën, ai nuk u befasua nga dhuna. Ai e njihte atë që nga fëmijëria. Por zgjodhi të mos i ngjajë asaj. Zgjodhi ta mundë jo me përngjarje, por me kundërshtim moral. Kështu jeta e tij e hershme nuk ishte thjesht kapitull biografie të cilën e lexojmë sot; ishte shkolla e parë politike e tij. Aty u mësua durimi, u mësua vetëpërmbajtja, u mësua ideja se liria nuk fitohet duke u bërë i ngjashëm me shtypësin, por duke u bërë i ndryshëm prej tij. Dhe kjo është arsyeja pse kur më vonë u bë lider i një populli të tërë, ai nuk foli si i plagosur, por foli si i përgjegjshëm. Nuk veproi si i zemëruar, por si i qartë. Nuk u soll as si viktimë, por si themelues. Sepse ai kishte kaluar më parë provën më të vështirë: provën e dhimbjes personale dhe e kishte kaluar pa e humbur njeriun e mirë brenda vetes”, tha ai ndër tjera.

Ndër tjera, në 20-vjetorin e ndarjes së jetës së Rugovës, Abdixhiku tha se ai nuk e pranoi politikën si ambicie por si detyrë e sakrificë, teksa shtoi se “LDK-ja e Rugovës u bë institucioni i parë i lirisë tonë para se të kishim liri”.

“Kjo është arsyeja pse bota e dëgjoi Kosovën. Jo sepse ishim të zhurmshëm, por sepse ishim të drejtë. Jo sepse i kërcënuam ata, por sepse dëshmuam. Rugova e kuptoi se në politikën ndërkombëtare, forca më e madhe është legjitimiteti moral. Dhe ai e ndërtoi atë me durim, me takime, me letra, me fjalë të qeta, me këmbëngulje të palëkundur. Ai shkonte nëpër kryeqytetet e botës jo si një njeri që lyp mëshirë, por si përfaqësues i një populli që kërkon drejtësi. Nuk ua ngrinte zërin diplomatëve, por ua ngrinte ndërgjegjen e tyre. Dhe kjo ishte arritja më e madhe. Duke mos u folur për urrejtje, por për të drejtën për të jetuar i lirë në shtëpinë tonë, Rugova e bëri Kosovën të dukshme. Para se të bëhej realitet politik, Kosova, para syve të botës, u bë realitet moral”, përfundoi ai.

Tutje, Abdixhiku tha se presidenti Rugova e kuptoi se shteti i vogël nuk mbijeton vetëm me forcën e vet, për çka tha se ndërtoi edhe besim të jashtëm.

Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të presidentit Ibrahim Rugova, janë bërë homazhe pranë varrit të tij nga përfaqësues institucional e diplomatë të huajë. /Sh.Pajaziti

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë