Rifati ngre alarmin për mosbesimin e klubeve të basketbollit tek trajnerët vendorë

Rifati ngre alarmin për mosbesimin e klubeve të basketbollit tek trajnerët vendorë

Trajneri i basketbollit Arbnor Rifati ka reaguar publikisht përmes një statusi kritik, duke ngritur shqetësimin për mungesën e besimit që klubet e Superligës së Kosovës po u japin trajnerëve vendorë. Ai thekson se ky fenomen po përsëritet vazhdimisht dhe po dëmton seriozisht zhvillimin e basketbollit kosovar, duke sjellë shembuj konkretë të vendimmarrjeve që i konsideron të gabuara.

Rifati përmend rastin e G.E. Yllit, ku sipas tij u emërua një trajner i huaj që kishte dështuar sezonin e kaluar, duke u anashkaluar një trajner vendas që kishte regjistruar katër fitore radhazi. Po ashtu, ai ndalet te Rahoveci 029, ku trajneri vendor u shkarkua pavarësisht tejkalimit të objektivave, për t’u zëvendësuar me një trajner të huaj që, sipas Rifatit, nuk justifikoi besimin. Si shembull pozitiv, ai veçon Vëllaznimin që i ka besuar trajnerit Selimi, si dhe punën e mirë të KB Trepçës dhe KB Bashkimit, me investime të qëndrueshme në skuadra dhe trajnerë të dëshmuar, duke vlerësuar veçanërisht trajnerin Adis Beqiragić.

https://kosovapress.com/trajneret-kosovare-te-lene-ne-hije-elita-e-basketbollit-i-beson-vetem-te-huajve

Në reagimin e tij, Rifati ngre edhe një krahasim të drejtpërdrejtë, duke theksuar se nëse një trajner kosovar do të kishte pasur rezultatet negative që po i shënohen trajnerit aktual të Prishtinës, kritikat do të kishin qenë shumë më të ashpra. Ai rikujton sukseset e trajnerëve vendorë, si fitimi i BIBL nga Albert Sylejmani me Sigal Prishtinën, duke theksuar se Kosova ka trajnerë të aftë dhe me dije. Sipas tij, problemi nuk është mungesa e cilësisë, por mungesa e besimit dhe orientimi i gabuar drejt “eksperimenteve”, një temë që është trajtuar edhe më herët nga KosovaPress në analizën për lënien në hije të trajnerëve kosovarë dhe besimin e elitës së basketbollit vetëm te trajnerët e huaj.

KosovaPress

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë