GO+ Peja dhe Sigal Prishtina në prova të rëndësishme evropiane sonte

GO+ Peja dhe Sigal Prishtina zhvillojnë sonte ndeshje të rëndësishme në Ligën ENBL, me dy sfida që pritet të kenë peshë të madhe për ecurinë e tyre në këtë edicion. Pejanët përballen me një nga skuadrat më të forta të kampionatit, ndërsa prishtinasit kërkojnë të konfirmojnë rolin e favoritit.
GO+ Peja është mysafire e Iraklisit në Greqi, në një përballje të vështirë ndaj një kundërshtari që ka treguar formë të lartë. Verdhezinjtë hyjnë në këtë duel me një fitore dhe katër humbje, ndërsa skuadra greke ka regjistruar pesë fitore dhe vetëm një humbje, duke e bërë sfidën një test serioz për pejanët. Ndeshja zhvillohet nga ora 17:00.
Në anën tjetër, Sigal Prishtina luan në transfertë ndaj Keila Coolbet në Estoni dhe shihet si favorite për të marrë pikët e plota. Bardhekaltrit kanë katër fitore dhe tri humbje, ndërsa ekipi vendas nuk ka fituar asnjë ndeshje deri më tani. Takimi mes Keila Coolbet dhe Sigal Prishtinës nis në ora 19:30.
