Marrëveshja me MCC, nisin punimet për ruajtjen e energjisë në Ferizaj

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se KOSTT do ta marrë në pronësi ngastrën në Sojevë të Ferizajt, ku do të vendosen bateritë me kapacitet 90 MWh për ruajtjen e energjisë, raporton KosovaPress.
Sipas saj, me nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Komunës së Ferizajt dhe KOSTT-it, punimet për projektin do të ecin përpara në kuadër të programit kompakt me MCC-në.
“Bateritë do të ruajnë energjinë kur ka tepricë dhe do ta rikthejnë në rrjet kur kërkesa rritet, duke synuar furnizim më të qëndrueshëm dhe kosto më të përballueshme”, shkruan Rizvanolli në Facebook.
Sipas Rizvanollit, partneriteti Kosovë–SHBA po sjell edhe një rezultat konkret: infrastrukturë që e bën energjinë më të sigurt për qytetarët.
Një vit më parë, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Kosovës lansuan programin Kompakt, i cili do të mundësojë zgjidhje të energjisë së pastër, për të përmirësuar gjendjen e energjisë në Kosovë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pati falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, tha se ky projekt nuk është vetëm investim në energji, por edhe në të ardhmen e vendit.
Kompakti MCC-Kosovë synon të prezantojë një sistem të avancuar të ruajtjes së energjisë, duke hedhur themelet për burime të besueshme, të ripërtëritshme të energjisë që do të integrohen në rrjetin e Kosovës, dhe duke reduktuar nevojën për energji të prodhuar nga thëngjilli si dhe importet e kushtueshme të energjisë.
Kompakti prej 202 milionë dollarësh, së bashku me një kontribut prej 34.7 milionë dollarësh nga Qeveria e Kosovë kap totalin prej 236.7 milionë dollarësh.
