Arrestohen katër persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ryshfet

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë ende duke zhvilluar aksionin e sotëm edhe në komuna të tjera të Kosovës për mashtrimet në procesin e lëshimit për leje për armë, raporton KosovaPress.
Në mëngjesin e sotëm, Prokuroria Themelore ka zhvilluar një aksion edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku janë arrestuar dy persona zyrtarë për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe në poligonin e një biznesi në Prishtinë, ku aty janë arrestuar dy persona për veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Kaltrina Shala për KosovaPress ka thënë se dy personat të arrestuar në MPB, kanë lëshuar certifikata për leje të armëve tek qytetarët që nuk i kanë përmbushur kriteret e nevojshme ligjore.
Ndërsa, dy personat e tjerë në poligonin e një biznesi janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Me urdhër të gjykatës kompetente në bazë të kërkesës me shkrim nga Prokurori i shtetit, sot është realizuar një aksion në disa lokacione të ndryshme, ku deri më tani janë arrestuar katër persona, dy persona zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ku edhe të cilët kanë lëshuar certifikata për leje të armëve tek qytetarët ku ata nuk i kanë përmbushur kriteret e nevojshme ligjore, si dhe janë arrestuar dhe dy persona të tjerë në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat””, ka thënë Shala.
Shala ka bërë të ditur se gjatë ekzekutimit të urdhër kontrollit, Policia e Kosovës ka sekuestruar dokumentacione të nevojshme, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm në procedurën hetimore lidhur me këtë çështje penale.
Tutje, Shala ka thënë se Prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë me shkrim në Gjykatën Themelore për caktimin e masave të sigurisë ndaj të pandehurve.
“Gjatë ekzekutimit të urdhër kontrollit policia ka sekuestruar disa prova të tjera, dokumentacione të nevojshme të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejshëm në procedurën hetimore lidhur me këtë çështje penale. Prokurori i shtetit po ashtu do të parashtrojë kërkesë me shkrim në gjykatën themelore për caktimin e ndonjërën prej masave të sigurisë ndaj të pandehurve”, ka shtuar ajo.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Kaltrina Shala ka treguar se kur pritet të përfundoj aksioni i Prokurorisë Themelore.
“Aksioni ka përfunduar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe tek poligoni “Reload”, ndërsa aksionet e tjera janë ende në zhvillim e sipër dhe pritet të përfundojnë brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë Shala.
Sipas burimeve të sigurta të KosovaPress, aksioni po zhvillohet edhe në tri komuna të Kosovës, (emrat e komunave të njohura për redaksinë). /A. Shala/
