Ekspertët: Serbia po përdor armatosjen e FSK-së për operacione psiko-strategjike

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit për Siguri Kombëtare në Serbi, mbajtur më 4 janar 2026, presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq ka pretenduar se Forca e Sigurisë së Kosovës, po armatoset në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se aleanca Kroaci- Shqipëri- Kosovë, sipas tij, cenon drejtpërdrejt interesat dhe sigurinë e Serbisë.
Vuçiq e ka cilësuar këtë situatë si një kërcënim për vendin e tij, duke theksuar se Serbia tashmë po përgatitet për t’u mbrojtur.
Këto deklarata, vetëm sa e kanë pasuruar atë që njohësit e sigurisë dhe lajmeve të rreme e shohin si propagandë serbe.
Hulumtuesi nga instituti “Octopus”, Gurakuç Kuçi tha për KosovaPress se ankesat e presidentit serb janë pjesë e një strategjie psiko-propagandistike.
Edhe pse Vuçiq, sipas Kuçit e di se Kosova është në forcimin e ushtrisë së saj në kuadër të NATO-s, ai e prezanton atë si kërcënim ndaj Serbisë.
Kuçi ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgatitura për t’u përballur me këtë lloj komunikimi strategjik nga Serbia.
Si nevojë imediate për të ndërhyrë, Kuçi ka parë çështjen e rrjeteve sociale dhe mediave, ku po manipulohet me publikun.
Edhe hulumtuesi në Hibrid Info, Festim Rizanaj, ka vlerësuar se deklaratat e Vuçiqit kanë ndikuar në përhapjen e narrativave të rrezikshme.
Këto deklarata, sipas tij, krijojnë panik te komuniteti serb në Kosovë, të cilët Rizanaj i këshiloonn që këto narrativa t’i verifikojnë dhe të përdorin më shumë burime të besueshme të informacionit.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtje i ka cilësuar deklaratat e presidentit serb si të pavërteta dhe tendencioze. Zëdhënësja e kësaj ministrie, Liridona Gashi, në një përgjigje për KosovaPress ka theksuar se zhvillimi i FSK-së nuk ka plane kërcënuese.
Në Këshillin për Siguri Kombëtare në Serbi, presidenti Vuçiq ka thënë se procesi i transformimit të FSK-së po zhvillohet me mbështetje nga fuqi të mëdha perëndimore dhe Turqia, sipas tij në shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së.
Institucionet e Kosovës theksojnë se Rezoluta 1244 nuk ndalon krijimin apo zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa zhvillimi i saj po bëhet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n.
Në anën tjetër, Serbia vazhdon ta konsiderojë Rezolutën e Këshillit të Sigurimit si dokument juridik ende në fuqi, duke e përdorur atë si bazë për të kundërshtuar shtetësinë e Kosovës dhe për të argumentuar se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri bie ndesh me këtë rezolutë.
