Mbi gjashtë mijë të huaj morën leje pune në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar

Gjithsej 6.128 punëtorë të huaj morën leje për qëndrim të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut në vitin 2025. Pra, trefish më shumë se para pesë vjetëve, kur për shkak të punës në vend kishin marrë leje 1.704 punëtorë, tregojnë të dhënat që Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) i ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Ndërtimtaria, industria përpunuese, akomodimi dhe shërbimi, si dhe tregtia me shumicë dhe pakicë, janë vendet ku ka pasur interesim më të madh për punësimin e të huajve, sipas Agjencisë së Punësimit nga viti 2020.
Punëtorët nga Turqia mbizotërojnë, por tani në Maqedoninë e Veriut po mbërrijnë gjithnjë e më shumë punëtorë nga Nepali, Bangladeshi dhe India.
Bangladeshi, Nepali, India, Turqia, Kina dhe Filipinet janë ndër shtetet, qytetarëve të të cilave MPB-ja u ka lëshuar leje qëndrimi për shkak të punës.
Se nga cilët shtetas të huaj ka kërkesën më të madhe, tregojnë edhe të dhënat që REL-i i ka marrë nga Agjencia e Punësimit.
Sipas tyre, në vitin 2025 janë lëshuar gjithsej 8.509 mendime pozitive për leje pune. Në këtë numër përfshihen edhe 798 leje personale pune të lëshuara për administratorë, menaxherë etj. Ky mendim është i nevojshëm ndër dokumentet që i mbledh MPB-ja kur vendos nëse do ta miratojë apo jo leje-qëndrimin.
Edhe këto të dhëna tregojnë trendin në rritje të të huajve që kërkojnë punë në vend. Në vitin 2020, për shembull, Agjencia kishte lëshuar 3.227 mendime pozitive, që është dy herë më pak se në vitin 2025.
Prej vitesh, të parët në këtë listë janë punëtorët nga Turqia, ndërsa në vitet 2024 dhe 2025, në pesë shtetet kryesore qytetarët e të cilave kanë marrë mendime pozitive, përfshihen edhe Nepali, Bangladeshi dhe India.
Vitin e kaluar, nga gjithsej 8.509 mendime, Agjencia e Punësimit i dha 2.815 mendime vetëm për shtetasit turq. Pas tyre vijnë shtetasit e Bangladeshit me 1.567, nepalezët me 1.089 dhe indianët me 1.079.
Në vendin e pestë janë shtetasit e Kosovës me 406.
Më herët, kur edhe numri i kuotave dhe lejeve për të huaj ishte dukshëm më i vogël, këto vende i zinin shtetet e rajonit, si Serbia, Shqipëria dhe Kosova.
Trendi i rritjes së numrit të punëtorëve të huaj është i dukshëm edhe në jetën e përditshme, veçanërisht në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku ata shpesh shihen në kantierë ndërtimi, por edhe në hotele, restorante, bare etj.
Ky proces, thekson Krste Bllazhevski nga shoqata vullnetare dhe jofitimprurëse e bizneseve hotelierike dhe gastronomike – HOTAM, është i natyrshëm duke pasur parasysh se punëtorët vendas po migrojnë drejt vendeve të tjera evropiane.
