LDK në udhëkryq, qëndrim apo largim i kryetarit?

LDK në udhëkryq, qëndrim apo largim i kryetarit?

Lidhja Demokratike e Kosovës është vendosur në një udhëkryq politik, vlerësojnë ish-deputetë të kësaj partie dhe analistë. Dy ditë para mbledhjes së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, po kërkohet qartësim i drejtimit politik dhe trajtim i përgjegjësisë së udhëheqjes së kësaj partie, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ditë më parë tha se do të ofrojë dorëheqjen para kuvendit të përgjithshëm të LDK-së, ku delegatët do të vendosin për qëndrimin ose jo të tij në krye të LDK-së.

Kërkesë të njëjtën adresoi edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Dorëheqje të parevokueshme të Abdixhikut po kërkon edhe ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca. Ai për KosovaPress, thotë se kuvendi i përgjithshëm i LDK-së s’ka obligim të miratojë dorëheqje, mirëpo i njëjti vetëm njoftohet për një gjë të tillë dhe shpallen zgjedhjet e reja.

E analisti politik, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se LDK-ja ka nevojë për një qartësim të pozicionit të saj në raport me rezultatin dëshpërues të zgjedhjeve të fundit, por edhe cili do të jetë qëndrimi karshi pushtetit të ri në vend.

Ai e konsideron të nevojshëm ndryshimin e lidershipit në LDK përmes dorëheqjes së parevokueshme të Lumir Abdixhikut.

Dorëheqjen e Abdixhikut e kërkon edhe ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca, i cili thotë se i njëjti s’ka çka i ofron më partisë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, paralajmëroi të martën, 13 janar, dorëheqjen nga pozita lidere në këtë subjekt politik.

Arsye për këtë është rezultati jo i mirë i kësaj partie në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, që nuk shkoi më lart se 13.11 për qind. Se a do ta pranojë dorëheqjen e kryetarit kuvendi i përgjithshëm i LDK-së, mbetet të shihet.

Nëse Abdixhiku lejohet të largohet nga lidershipi, atëherë bëhet i dyti kryetar i Lidhjes Demokratike që dorëzohet pas rezultateve të dobëta zgjedhore.

Ngjashëm kishte vepruar paraardhësi i tij, Isa Mustafa, më 2021. Në votimet e 14 shkurtit të atij viti, LDK, nën lidershipin e tij, pati shënuar rezultatin më të dobët në histori të partisë me vetëm 12.7 për qind të votave në nivel vendi.

Abdixhiku pati thënë në atë kohë se dorëheqja pas rezultateve të dobëta, është bërë praktikë në LDK./E.Zeqiri/

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë