Shatri: Licencimi i federatave vendosë standarde të reja në Kosovë

Fidan Shatri nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – MKRS, ka bërë të ditur se procesi i licencimit të federatave sportive gjatë vitit 2022 ka sjellë një standard të ri në sportin kosovar. Ai thekson se ky proces ka vendosur rregulla më të qarta për funksionimin, organizimin dhe përgjegjësinë e strukturave sportive.
Shatri, përmes një reagimi në “Facebook” ka vlerësuar se procesi ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e transparencës dhe forcimin e qeverisjes së mirë, duke krijuar një kulturë më të lartë të llogaridhënies në federata dhe anëtarët e tyre. Ai shton se respektimi i legjislacionit dhe zbatimi i kritereve të njëjta për të gjithë kanë qenë synime kryesore të këtij procesi.
Sipas Shatrit, aktet nënligjore që do të dalin nga Ligji i ri për Sportin do të rregullojnë edhe më qartë funksionimin e organizatave sportive në Kosovë, duke përcaktuar rolet, përgjegjësitë dhe standardet e detyrueshme për të gjitha palët, me qëllim ndërtimin e një sistemi sportiv më të qëndrueshëm dhe profesional, në shërbim të sportistëve dhe komunitetit sportiv në përgjithësi.
