Reshjet e mëdha shkaktojnë përmbytje dhe ndërprerje të energjisë elektrike në Drenas

Në komunën e Drenasit, konkretisht në Komoran, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, disa biznese janë përballur me vërshime, ndërsa që nga orët e hershme të mëngjesit po tentojnë të largojnë ujin nga ambientet e tyre.
Qytetari Xhavit Shabani, i cili që nga ora 05:00 e mëngjesit po mundohet të largojë ujin nga biznesi i tij, ka deklaruar për KosovaPress se vërshimet në këtë komunë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
“E katërta herë që na merr (uji), prej orës 5:00 jemi zgjuar, këtu kemi pasur motorët këtu brenda, nuk e kemi hapur biznesin hiç, kemi pasur kabllo, hidrofora, motorë. Sa po mundemi, janë gjashtë punëtorë duke e hequr ujin brenda. Uji diku është gjysmë metër. Edhe nga fqinji pompa është bllokuar, vetura është blloku aty… Kemi thirrur policinë nuk ka ardhur pse më keni thirr nuk vjen kërkush, Drenasi një patrullë e ka krejt këto shirita i kam vendosur vet. Dëme materiale kemi të mëdha nuk dihet hiç sa ka. E kemi lëshu gjeneratorin se është ndalur rryma. Prej komune nuk ka ardhë askush as zjarrfikësit”, tha Shabani.
Në këtë komunë si pasojë e reshjeve të shiut është ndalur edhe energjia elektrike pasi që vërshimet kanë prekur trafon e rrymës në Drenas, raporton KosovaPress.
Se zjarrfikësit po vazhdojnë përpjekjet për t’iu përgjigjur thirrjeve të qytetarëve të prekur nga situata e krijuar, derisa intervenimet janë duke u zhvilluar në disa zona, tha për KosovaPress komandanti i Zjarrfikësve në Drenas, Afrim Gjeli.
Ai ka bërë të ditur se janë ndërmarrë evakuime të familjeve të rrezikuara të moshave të ndryshme, ndërsa procesi i evakuimit po vazhdon edhe më tej.
Ai ka theksuar se zjarrfikësit janë në gatishmëri të plotë dhe se çdo thirrje e qytetarëve po trajtohet me prioritet.
“Ne kemi bërë evakuim të familjeve të rrezikuara të moshave të ndryshme dhe ende jemi duke bërë evakuim…çdo thirrje e kam telefonin në dorë 193”, ka thënë Gjeli.
