Kurti: KosovaPress ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh e të mirë në krejt periudhën që ekziston

Kurti: KosovaPress ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh e të mirë në krejt periudhën që ekziston

Agjencia e Lajmeve KosovaPress ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh e të mirë në të gjithë periudhën që ekziston, thotë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me rastin e 27-vjetorit të themelimit të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress.

Kurti, në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, thotë se e mban mend shumë mirë janarin e acartë të vitit 1999, kur KosovaPress dhe Radio Kosova e Lirë filluan të raportojnë drejtpërdrejt nga vendluftimet, zonat ku zhvilloheshin betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ku mbrohej popullsia civile.

“Gëzuar edhe përvjetori i KosovaPress-it. E mbaj mend atë janar me shumë acar të vitit 1999, kur na u ngrohën zemrat të gjithëve, sepse KosovaPress-i dhe Radio Kosova e Lirë filluan të raportojnë drejtpërdrejt nga vendluftimet, nga zonat ku zhvilloheshin betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ku mbrohej popullsia civile. E di që ka qenë një janar si asnjë tjetër, nëse nuk gaboj, temperatura minus 17 gradë Celsius. Dhe KosovaPress ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh e të mirë në krejt këtë periudhë që ekziston. Andaj, përveçse urime Viti i Ri, gëzuar edhe juve përvjetori i 27-të”, thotë ai.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress sot shënon 27-vjetorin e themelimit dhe fillimit të punës. Kjo ditëlindje e gjen agjencinë në hapësira të reja, moderne dhe funksionale, të cilat përmbushin të gjitha kushtet për veprimtarinë e një mediumi bashkëkohor.

Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në misionin e KosovaPress-it për informim të saktë, të shpejtë dhe objektiv, si dhe një investim në cilësinë e gazetarisë dhe komunikimit medial në Kosovë. /KosovaPress/

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë