Përfundon numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike, kaq vota morën subjektet politike

Përfundon numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike, kaq vota morën subjektet politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bën të ditur se është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit në 40 vendvotime të përfaqësive diplomatike.

Nga ky proces në përfaqësi diplomatike, Vetëvendosje ka fituar 13 mijë e 297 vota ose 86.92 për qind, PDK ka fituar 905 vota ose 5.92 për qind, LDK me 726 vota ose 4.75 për qind dhe AAK me 243 vota ose 1.59 për qind.

Sipas KQZ-së, votimi u zhvillua në 29 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 19,187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16,165, apo 84.24%.

Po ashtu, gjatë ditës së shtunë, në QNR ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës që deri më tani janë sjellë në Kosovë.

Ditë më parë, nga dy kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28,500 pako me fletëvotime, të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së, bëhet e ditur në njoftim.

Nga më shumë se 28,000 pako të pranuara, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar mbi 950. Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit në pakon me fletëvotim.

Në procesin e numërimit do të përfshihen 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime, njofton KQZ.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë