Cakolli tregon sa deputetë marrin partitë: Votat me postë mund të kenë ndikim në rezultat

Cakolli tregon sa deputetë marrin partitë: Votat me postë mund të kenë ndikim në rezultat

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë të ditur se, pas verifikimit dhe procesimit të të gjitha vendvotimeve në nivel vendi, ndarja e mandateve në Kuvend është tashmë e qartë bazuar në rezultatet aktuale.

Sipas tij, përbërja aktuale e mandateve është: Lëvizja Vetëvendosje me 56 mandate (të paktën 17 gra), PDK me 23 mandate (të paktën 7 gra), LDK me 15 mandate (të paktën 5 gra) dhe AAK me 6 mandate (të paktën 2 gra).

Cakolli thekson se votat nga përfaqësitë diplomatike, ndonëse me përqindje të lartë në favor të LVV-së – ngjashëm me zgjedhjet e 9 shkurtit – nuk prodhojnë asnjë ndryshim në numrin e mandateve. E njëjta vlen edhe për votat me kusht, të cilat ndjekin trendin e përgjithshëm të votimit brenda vendit dhe nuk kanë potencial real për të ndryshuar shpërndarjen e ulëseve.

“Votat nga përfaqësitë diplomatike – pavarësisht përqindjes së lartë në favor të LVV-së, e ngjashme edhe me zgjedhjet e 9 shkurtit – nuk prodhojnë asnjë ndryshim në numrin e mandateve. Njësoj, as votat me kusht, të cilat në përgjithësi ndjekin trendin e votimit në vend, nuk kanë potencial real për të ndryshuar shpërndarjen e ulëseve”, shkruan Cakolli.

Sipas Cakollit, votat me postë mbesin të vetmet që mund të ndikojnë në rezultat, por edhe ato vetëm në mënyrë të kufizuar, maksimalisht në 1 deri në 2 mandate. Ai sqaron se, edhe në skenarin teorik kur të gjitha rreth 58 mijë dërgesat postare arrijnë në kohë dhe janë valide, LVV-së do t’i duhej rreth 80–85 për qind e tyre për të siguruar mandatin e 57-të, ndërsa për mandatin e 58-të do t’i nevojitej rreth 90 për qind e votave me postë.

“Lëvizja potenciale mes mandateve të PDK-së dhe LDK-së varet nga performancat e tyre – me logjikën që partia me koeficientin më të ulët, humbet mandatin e para”, ka shtuar ai.

Duke marrë parasysh trendet e deritanishme, përfshirë edhe ciklet e kaluara zgjedhore, Cakolli vlerëson se skenari më realist në fund të procesit zgjedhor është:

LVV – 57 mandate
PDK – 22 mandate
LDK – 15 mandate
AAK – 6 mandate

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë