Atmosferë festive në sheshin e Prishtinës, qytetarët optimistë për vitin e ri

Qytetarë të shumtë të kryeqytetit zgjodhën që festën e ndërrimit të moteve ta kalojnë në sheshin e Prishtinës.
Në atmosferë festive qytetarët u shprehën optimistë për vitin e ri duke rrëfyer të mirat dhe sfidat e vitit që lamë pas, transmeton KosovaPress.
Qytetari, Rexhep Takaj tha se shpreson që në vitin tjetër të ketë më shumë dashuri dhe respekt mes njëri-tjetrit.
“Viti i kaluar ishte mirë, ishalla ky vit të ri edhe më mirë veç shumë suksese e shumë shëndet. Ishalla populli ia nis me falenderu gjithkënd dhe me dashtë njëri-tjetrin, kemi ndryshuar sepse parja na ka prish krejtve, shumë keq”, tha ai.
Një qytetar nga Zvicra i cili atmosferën e vitit të ri zgjodhi ta festojë në mesin e bashkëatdhetarëve tha se atmosfera festive ishte e mirë.
“Kemi ardhur nga Zvicra, shumë mirë kemi kaluar”, tha një qytetar tjetër nën atmosferën festive të kryeqytetit.
Qytetari, Genc Gashi tha se në vitin 2026 pret që gjërat të jenë më mirë se në vitin që lamë pas.
“Po kalojmë shumë mirë, po presim më mirë në vitin e ri”, tha Genc Gashi.
Në mesin e qytetarëve që kishin zgjedhur të festonin në Prishtinë ishte edhe Adis Veseli nga Maqedonia e Veriut, i cili tha se atmosfera ishte shumë e mirë, teksa nga viti i ri pret më shumë punë.
“Mirë super, viti i kaluar ishte mirë nuk ishte keq. Presim me punu me i marr sendet me ren”, Adis Veseli nga Maqedonia.
