Ademi: 2025, një nga vitet më historike për futbollin e Kosovës

Viti 2025 do të mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e futbollit të Kosovës, ka vlerësuar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në mesazhin e tij me rastin e ndërrimit të motmoteve. Ai ka theksuar se ky vit ishte i mbushur me punë intensive, vendime strategjike dhe arritje konkrete që konfirmuan drejtimin e duhur të FFK-së dhe futbollit kosovar në përgjithësi. “Është momenti i duhur për të reflektuar me krenari mbi arritjet dhe punën e bërë gjatë këtij viti”, ka shkruar Ademi.
Sipas tij, gjatë vitit 2025 janë bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin e infrastrukturës sportive, digjitalizimin e sistemeve, edukimin e kuadrove profesionale dhe forcimin e projekteve zhvillimore. Ai ka veçuar edhe përparimin ndërkombëtar të Kosovës në futboll, bashkëpunimet me FIFA-n dhe UEFA-n, si dhe sukseset historike sportive, përfshirë ngritjen e Kombëtares në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe sigurimin për herë të parë të ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026. “Këto suksese janë dëshmi e punës së përbashkët dhe besimit në potencialin e futbollistëve tanë”, ka theksuar ai.
Ademi ka përmendur edhe sukseset e klubeve kosovare në garat evropiane, duke icilësuar ato si konfirmim të rritjes së cilësisë së futbollit vendor. Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë akterët e futbollit dhe ka uruar që viti 2026 të jetë vit sfidash të reja dhe realizimi të ëndrrës së madhe. “Uroj që 2026-ta të jetë vit i realizimit të ëndrrës sonë të përbashkët dhe për herë të parë të jemi pjesë e Kupës së Botës”, ka përfunduar Ademi.
