Abdixhiku pranon humbjen, paralajmëron dorëheqjen

Rezultati në zgjedhjet e sotme është humbje për LDK-në, tha kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Ai shtoi se ky rezultat nuk është ai që kanë pritur dhe se shumë shpejt do të thërrasë Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së, teksa la të hapur edhe dorëheqjen nga posti i kryetarit.
Në bazë të rezultateve të KQZ-së, ku janë numëruar rreth 95 për qind të votave, LDK-ja ka dalë e treta në zgjedhjet e 28 dhjetorit, me 13.79 për qind të votave.
“Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur. Nuk është ai që unë si kryetar kam dëshiruar ta shoh ndonjëherë. Ky është një moment reflektimi i thellë, i përgjegjësisë dhe seriozitetit politik. Kur qytetarët e Kosovës flasin, ne duhet t’i dëgjojmë. Kur populli jep verdiktin e vet, ne duhet ta respektojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi jo vetëm kur fitojnë dhe kanë festë, por edhe kur kanë humbje si kjo e sotmja. Këto pesë vite që kam udhëhequr me LDK-në kam bërë dhe vepruar gjithmonë ashtu siç kam besuar që është më e mira për LDK-në. Megjithatë, sot dua të them hapur se nuk kam arritur ta çoj LDK-në aty ku duhet të jetë. Kam ndërtuar ekip me njerëzit më të mirë që kam besuar. Kemi ndërtuar program të plotë, serioz dhe modern, por ky është verdikti i qytetarëve dhe para tij përulemi të gjithë”, tha ai.
Ai tha se LDK tani ka nevojë për unitet dhe reflektim të thellë, derisa shtoi se edhe dorëheqja e tij nga posti i kryetarit të LDK-së do të diskutohet në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së.
“LDK ka nevojë për unitet, reflektim të thellë dhe një fazë të re dhe të sinqertë brenda vetes. Ka nevojë të dëgjojë më shumë dhe më guximshëm. Për këtë arsye, duke marrë përgjegjësinë që më takon si kryetar, do të thërras kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shqyrtojmë të gjitha çështjet, përfshirë edhe përgjegjësinë time që mbaj unë si kryetar. Ky rezultat ishte i papritur për LDK-në, sidomos për një periudhë të shkurtër 10-mujore që nga mbajtja e zgjedhjeve. Të gjitha janë në diskutim, natyrisht edhe dorëheqja, pa asnjë diskutim”, theksoi Abdixhiku.
Ai uroi edhe Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në zgjedhjet e sotme, derisa theksoi se Kosova sot ka nevojë për demokraci funksionale.
“Dua të falënderoj edhe kundërshtarët tanë politikë për garën dhe t’i uroj fituesit. Kosova ka nevojë për demokraci funksionale edhe kur nuk jemi dakord për çështje substanciale”, tha ai.
