Këto janë rezultatet e zgjedhjeve sipas DnV-së

Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar për rezultatet preliminare të procesit të sotëm zgjedhor.
Në konferencë për media, drejtuesi i DnV-së, Ismet Kryeziu ka thënë se përqindja e qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës ka qenë 45 për qind.
“Sipas rezultateve tona që kemi parë në daljen e qytetarëve, konsiderojmë që 45 për qind ka qenë dalja e qytetarëve. Kujtojmë se dalja e votuesve në shkurt ka qenë rreth 4.1, përafërsisht ka qenë aty, derisa në vitin 2021 ka qenë 48,78 të cilët kanë marrë pjesë në votime. Gjatë gjithë ditës kemi raportuar, konsiderojmë se zgjedhjet sot kanë që qenë të lira, të ndershme dhe të drejta. Qytetarët, partitë politike, komisionerët, të gjithë akterët që janë të përfshirë në këtë proces kanë mundur të ushtrojnë të drejtën e tyre bazuar në ligjet edhe në rregullat të cilat përcaktohen”, deklaroi ai.
Kryeziu ka treguar për përqindjet e votave që ka marrë secila parti vec e vec, ku Kryeziu tha se në këto rezultate preliminare nuk janë të përfshira votat nga jashtë e as ato me kusht.
“Krahasimi i rezultateve preliminare, po shohim se Lëvizja Vetëvendosje është me 47.91 për qind, PDK me 21.08 për qind, LDK me 13.36 për qind, AAK me 5.62 për qind, Nisma me 1.88 për qind, Lista Serbe me 5.5 për qind edhe SPO 0.92 për qind. Me margjinat e gabimet të cilat konsiderojmë LVV ka mundësi të lëviz në plus apo minus 1.61 për qind të këtij rezultati. PDK ka mundësi të lëviz në 1.38 për qind të këtij rezultati, AAK ka mundësi të lëviz në 0.79 për qind, Nisma mbetet jashtë parlamentit por gjithsesi rezultati mund të lëviz me 0.60 për qind, Lista Serbe mund të lëviz me plus minus 1.75 për qind dhe partia e Nenad Rashiqit mund të lëviz me 0.59 për qind”, ka shtuar ai.
