Haradinaj: Aleanca e gatshme të bashkëpunojë me PDK-në dhe LDK-në për formimin e qeverisë

Haradinaj: Aleanca e gatshme të bashkëpunojë me PDK-në dhe LDK-në për formimin e qeverisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se për formimin e qeverisë, duhet të pritet një marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së. Ai tha se Aleanca është e gatshme që të bashkëpunojë me këto dy parti për t’i dhënë, siç u shpreh Haradinaj, vendit shumicën.

Haradinaj në konferencë për media tha se së bashku këto tri parti mund ta formojnë qeverinë nëse ka vullnet politik.

“Për të pasur qeveri Kosova tani duhet të presim edhe një marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së, për shkak se e dimë që bllokada kështë shkaktuar një vit nga Kurti dhe Vetëvendosje. Por, po ashtu nuk kemi parë një gatishmëri të këtyre dy partive për një marrëveshje dhe për këtë për të thjeshtëzuar kush është kryeministri. Aleanca nuk ka qitur kushte dhe nuk qet kushte për opozitën, por tani është momenti që të reflektojmë të gjithë, të mos e votojmë vendin. Nga ne të dy partitë, LDK dhe PDK e kanë një partner dhe jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me ta për t’i dhënë vendit shumicën”, deklaroi Haradinaj në konferencë për media.

Tutje, Haradinaj tha se në procesin e sotëm zgjedhor ka fituar demokracia. Ai tha se kanë fituar 8 për qind të votave, dhe nëntë mandate për Kuvendin e Kosovës.

“Për ne, për AAK është konfirmuar rezultati 8 për qind, që është rreth 9 mandate. Këtë ua konfirmojmë me siguri nga njohuritë tona, informatat tona që kemi. Kuptohet e mirëpresim rezultatin final, numërimin e të gjitha votave atyre në vendvotime me kusht, të diasporës me postë dhe si i tillë ky rezultat na bën krenar me punën tonë. E dini jemi përballë një situate jo të lehtë, jemi ballafaquar me partitë në shtet, ka pesë vjet edhe përkundër krejt zhvillimeve që kanë ndodhur në vend po vërtetohet edhe një herë që bllokada një vjeçare e Kurtit nuk jep rezultatin e pritur prej tij. Pra, ende jemi në një situatë afërsisht të njëjtë. E dimë se po flitet për mundësinë e ndonjë rritje me numër të deputetëve por kjo është një situatë pak a shumë e ngjashme si herën para kësaj. Ne jemi dakord që të veprohet me shpejtësi, të krijohen institucionet e vendit, të mos vonohet më Kosova”, shtoi Haradinaj.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit (sot), sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 19:00 kanë votuar 898.557 qytetarë, nga gjithsej 1.999.204 votues në listë, që përbën 44,99% pjesëmarrje.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë