Pesë raste të dyshuara, por asnjë arrestim për shkelje të votës

Pesë raste të dyshuara, por asnjë arrestim për shkelje të votës

Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se deri në këto momente nuk është ndaluar asnjë person për vepra penale kundër të drejtave të votimit, në kuadër të zgjedhjeve të sotme.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth 100 prokurorë dhe pjesëtarë të sistemit prokurorial kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të angazhuar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe mbrojtjes së votës së lirë të qytetarëve.

Gjatë ditës, Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata lidhur me parregullsi të mundshme. Pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbylljen e procesit të votimit, është konstatuar se vetëm pesë raste kanë përmbajtur elemente të veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Rasti i parë është iniciuar në fshatin Ranillug – Gjilan, për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, sipas nenit 210 të Kodit Penal të Kosovës. E dyshuara, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i dytë është iniciuar në Zhegër – Gjilan, për veprat penale “Pengim i procesit të votimit” dhe “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, sipas neneve 214 dhe 215 të Kodit Penal të Kosovës. Edhe në këtë rast, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i tretë është iniciuar në Prizren, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, sipas nenit 217 të Kodit Penal të Kosovës, ku i dyshuari është liruar me vendim të prokurorit.

Rasti i katërt është iniciuar në Drenas, për veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ndërsa rasti i pestë në Suharekë, për të njëjtën vepër penale. Në të dy rastet, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të jenë kujdestarë edhe gjatë procesit të numërimit të votave në vendvotime, si dhe gjatë transportimit të tyre drejt qendrave komunale të numërimit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka falënderuar qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, duke vlerësuar kontributin e tyre në parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë