Kurti u drejtohet komisionerëve dhe vëzhguesve: Sytë dhe veshët janë te ju

Kosova sot ka përmbyllur me sukses procesin zgjedhor të votimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook tha se pas përmbylljes së procesit të votimit dhe shprehjes së vullnetit të qytetarëve është e rëndësishme ruajtja e vullnetit për kredibilitetin e procesit zgjedhor, transmeton KosovaPress.
Kurti tha se tashmë sytë janë tek komisionerët dhe vëzhguesit për siç thotë ai detyrën e rëndësishme që kanë përpara.
Postimi i plotë:
Mirëmbrëma të gjithëve,
Vullneti i qytetarëve tashmë gjendet në kutitë e votimit. Ruajtja e këtij vullneti të shprehur është esencial për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor.
Aty e kemi përcaktimin për të ardhmen e vendit tonë dhe të institucioneve të tij.
E për këtë gjë, mendjet, sytë dhe veshët tanë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Keni detyrë tejet të rëndësishme saqë vendimtare.
Ju falemnderit e mirupafshim.
