Stavileci: Sinjale pozitive nga terreni, mbështetje e fuqishme për ndryshim

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci ka deklaruar se dita e votimit po shkon drejt një rezultati shumë të rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se nga terreni po marrin sinjale pozitive dhe mbështetje të fuqishme për ndryshim.
Në një deklarim për media, më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, Stavileci ka thënë se kjo është një ditë e veçantë për demokracinë dhe të ardhmen e vendit, pasi qytetarët po vendosin me votë për drejtimin që duan t’i japin Kosovës.
“Sot është një ditë e veçantë për demokracinë tonë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Sot qytetarët e Kosovës po vendosin me votë që për drejtimin që duan t’i japin shtetit. Për mënyrën se si duan të jetojnë nesër dhe për shpresën që duan t’u japin fëmijëve të tyre. Deri në këto momente, më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, të dhënat që po marrin nga terreni janë pozitive. Po na vinë mesazhe të qarta, ka mbështetje të fuqishme për ndryshim, me bindje të plotë për zhvillim dhe për një jetesë më të mirë për secilin qytetar të Kosovës. Sipas të dhënave të deritanishme, kjo ditë po shkon drejt një rezultati shumë të rëndësishëm për PDK-në, drejt një niveli mbështetjeje dhe një numri votash që për ne janë historike. Prandaj, ftesa jonë është e sinqertë dh e drejtpërdrejt”, ka deklaruar ai.
Stavileci u ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk kanë votuar që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
Ai ka shtuar se PDK beson në një Kosovë me më shumë stabilitet politik, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie dhe më shumë shpresë për të rinjtë.
Sipas KQZ-së, numri i votuesve që kanë votuar është 575,697 deri në orën 15:00.
