Fotografimi i votës dhe cenimi i fshehtësisë regjistrohen në disa qendra votimi

Sipas raportimeve të Demokracisë në Veprim (DnV), procesi i votimit në zgjedhjet e sotme po zhvillohet pa incidente serioze deri në mesditë. Qytetarët kanë filluar të votojnë që nga ora 07:00, ndërsa deri në orën 12:00 rreth 13.7 për qind e tyre e kanë ushtruar të drejtën e votës. Dalja më e madhe është regjistruar në Prishtinë dhe Ferizaj, me 15 për qind, ndërsa në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, dalja ka arritur mbi 22 për qind, thuajse dyfish më shumë se mesatarja kombëtare.
Ismet Kryeziu nga DnV ka thënë se vëzhguesit raportojnë probleme në disa vendvotime. Në 50 për qind të tyre, votuesit kanë pasur vështirësi për të gjetur emrin në listë, ndërsa në disa qendra deri në 30 votues nuk e kanë gjetur emrin e tyre. Në 1.4 për qind të vendvotimeve ka pasur ankesa se dikush tjetër ishte nënshkruar në emër të tyre.
“Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat është raportuar në 50 për qind të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla. Por ka pasur edhe vendvotime (1,6 pë qind) ku një numër i konsiderueshëm i votuesve (deri në 30 votues) nuk e kanë gjetur emrin e tyre në Listë. Prijnë komunat: Prishtinë dhe Pejë. Ka pasur disa raste kur votuesit janë ankuar që dikush tjetër është nënshkruar në emër të tyre në Listën e Votuesve dhe atë në 1.4 për qind të vendvotimeve. DnV rekomandon qytetarët që para se të nisen për të votuar të verifikojnë Qendrën e tyre të Votimit përmes linkut qv.kqz-ks.org dhe në këtë mënyrë t’i shmangin pakënaqësitë dhe vonesat. Në anën tjetër, votimi me kusht është duke u mundësuar në vetëm një qendër votimi në secilën nga 38 komunat”, ka theksuar Kryeziu.
Sipas tij, deri në mesditë, vetëm 1 për qind e votuesve kanë votuar me asistencë, ndërsa në 35 për qind të vendvotimeve nuk lejohet votimi pa dokumente.
“Në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas DnV-së, 6 për qind e të gjithë qytetarëve kanë votuar duke u asistuar nga një person tjetër. Dy të tretat e tyre kanë qenë gra, ndërsa në 35 për qind të vendvotimeve janë hasur raste të izoluara ku edhe votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë…Deri në orën 12:00, nga numri i deritanishëm i qytetarëve që kanë votuar, vetëm 1 për qind prej tyre kanë votuar me asistencë. Po ashtu, në 5 për qind të vendvotimeve kemi hasur në raste të izoluara (deri në 4 raste) ku votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë. Si trend i përgjithshëm, votimi me asistencë po evidentohet në Libër, por nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave, dhe kjo ka ndodhur në 5 për qind të vendvotimeve, ku deri në 10 raste nuk janë evidentuar fare në Librin e Votimit. DnV ka gjetur se në 16 për qind të vendvotimeve ka pasur deri në 4 raste të identifikimit me dokumenta të skaduara, përkundër rregullave që nuk lejojnë votimin me dokumenta me afat të skaduar. Ky fenomenn është më i shprehur në rajonin e Prizrenit.
Po ashtu, sipas DnV-së ,deri në orën 12:00, në 4 për qind të vendvotimeve ka pasur raste të izoluara kur votuesit janë identifikuar me dokumente jo valide, siç mund të jenë dokumentet e shteteve të tjera, ose ato të lëshuara nga UNMIK-u.
“Ndonëse fenomen në përmasa të vogla, cenimi i fshehtësisë së votës i manifestuar përmes fotografimit të votës po vazhdon të shfaqet edhe në këto zgjedhje. Fotografimi i votës dhe bërja e saj publike supozohet se ndërlidhet me cenimin e fshehtësisë së votës apo blerjes së saj, por edhe frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij. Deri në orën 12:00, raste të fotografimit të votës janë 13”, ka shtuar Kryeziu.
