Spalletti për Zhegrovën: Na duhej shkëndija e tij

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka vlerësuar lart ndikimin e Edon Zhegrovës në fitoren 2-0 kundwr Pisas nw Serie-A, duke theksuar se futja e tij në lojë ishte momenti që e “zgjoi” skuadrën bardhezi dhe ndikoi drejtpërdrejt në ndërtimin e golit të parë.
Spalletti ka zbuluar se vendimi për ta aktivizuar Zhegrovën nuk ishte i lehtë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Ai ka shpjeguar se sulmuesi kosovar kishte kaluar grip dhe tri ditë me temperaturë të lartë, çka ngriti dilema nëse mund të përballonte më shumë se 30 minuta lojë.
“Zhegrova kishte grip dhe tri ditë me temperaturë të lartë, ndaj kisha dyshime nëse mund të përballonte 35 minuta. Por duhej ta rrezikonim, sepse po e kishim të vështirë të krijonim ato hapësira dhe ai, siç e kemi parë, është një lojtar që e ka shkëndijën ndezur; di si t’i sfidojë kundërshtarët dhe të marrë vendimet e duhura.”, theksoi Spalletti.
Megjithatë, tekniku italian ka theksuar se rreziku ishte i domosdoshëm, pasi Juventusi po e kishte të vështirë të krijonte hapësira. Sipas tij, Zhegrova është një lojtar me shpërthim dhe guxim në lojë, i aftë të marrë iniciativa individuale, të sfidojë kundërshtarët dhe të marrë vendimet e duhura në momentet kyçe, cilësi që sollën ndryshim të menjëhershëm në ritmin dhe agresivitetin ofensiv të skuadrës.
