Votimi i organizuar, Musliu: Lista Serbe shkeli rregulloren, institucionet të reagojnë

Votimi i organizuar, Musliu: Lista Serbe shkeli rregulloren, institucionet të reagojnë

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu ka deklaruar se Lista Serbe po vazhdon të shkelë Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024, duke mos respektuar heshtjen zgjedhore gjatë ditës së votimit.

KosovaPress ka raportuar më parë se kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, së bashku me qytetarët, kanë votuar në mënyrë të organizuar, ashtu si në çdo proces tjetër zgjedhor, duke marrë pjesë në orët e para të mëngjesit në procesin e votimit. Të njëjtit pastaj kanë shkuar tek shkolla teknike ku voton edhe Sllavko Simiq.

Sipas Musliut, Lista Serbe sot ka ftuar simpatizantët e saj që të grumbullohen para zyrave të saj në Mitrovicën e Veriut, si dhe në komuna të tjera me shumicë serbe, në një kohë kur procesi i votimit ka nisur dhe heshtja zgjedhore është zyrtarisht në fuqi.

https://kosovapress.com/lista-serbe-serish-voton-ne-menyre-te-organizuar

Ai në një postim në Facebook ka theksuar se Rregullorja Zgjedhore nr. 07/2024, në nenin 8, përcakton qartë se nga hapja e qendrave të votimit deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre u ndalohet mbajtja e takimeve për qëllime të fushatës zgjedhore, si dhe grumbullimi i zyrtarëve apo aktivistëve në afërsi të qendrave të votimit.

“Pas një fushate të egër kundër partive të tjera që përfaqësojnë serbët, sipas urdhrave të Serbisë, përkatësisht terroristit Millan Radojçiq, sot në Mitrovicën e Veriut po shkel hapur Rregullorja  zgjedhore Nr. 07/2024, ku është e përcaktuar qartë: Neni 8, Veprimet e ndaluara gjatë heshtjes zgjedhore.  1. Nga hapja e qendrave të votimit për votim dhe deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre u ndalohen veprimet e mëposhtme: 1.1. Mbajtja e takimeve për qëllime të fushatës zgjedhore apo grumbullimi i zyrtarëve të subjektit politik të certifikuar në afërsi të qendrave të votimit”, ka shkruar ai.

Sipas tij, për këto shkelje institucionet kompetente duhet të veprojnë në përputhje me ligjin, duke përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës.

Ai ka rikujtuar se gjatë fushatës zgjedhore, Lista Serbe ishte dënuar me gjobë prej 30 mijë eurosh, pas një ankese të paraqitur nga një subjekt tjetër politik serb në veri të vendit, për shkelje të ligjit zgjedhor.

“Lista Serbe po fton simpatizantët që të grumbullohen para zyrave të saj në veri të Mitrovicës dhe ne komunat tjera në ditën kur kanë filluar votimet dhe kur zyrtarisht është në fuqi heshtja zgjedhore.  Për këto veprime në kundërshtim me rregulloren, institucionet relevante duhet të ndërmarrin veprime ligjore, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës. Gjatë fushatës zgjedhore, Lista Serbe është dënuar me 30,000 euro pas ankesës së një subjekti tjetër politik serb në veri për shkelje të ligjit”, ka shkruar Musliu.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë