PDK përmbyll fushatën elektorale

Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit, prej nga u bë thirrje qytetarëve për dalje masive në votim, duke thënë se çdo votë është vendim për të ardhmen e familjeve dhe Kosovës.
Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, tha se fushata zgjedhore ishte e mbushur me energji, ide dhe vizion për zhvillim, me synim hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën, të bazuar në unitet, stabilitet dhe dinjitet.
Hamza premtoi rritje 50% të pagave, rritje 50% të pensioneve dhe ndihmave sociale, duke theksuar se pensioni minimal do të jetë 250 euro. Ai prezantoi edhe masa ekonomike zero për qind të TVSH-së për produktet esenciale dhe energjinë elektrike, si dhe ulje të tatimit në të ardhura.
Ai theksoi se pa unitet nuk ka stabilitet, pa stabilitet nuk ka qeverisje të mirë, dhe pa qeverisje të mirë nuk ka paga më të larta, çmime më të ulëta dhe siguri për familjet.
“Sonte nuk jemi mbledhur vetëm për ta përmbyllur fushatën tonë, por edhe për ta hapur një kapitull të ri për Kosovën. Një kapitull të unitetit, zhvillimit dhe dinjitetit. Një kapitull ku secili qytetar ndihet i respektuar, i përfaqësuar dhe i sigurt për të ardhmen… Për një vendim që nuk merret në këtë skenë, por merret të dielën. Një vendim që merret nga ju, kur të dilni dhe të votoni për numrin 130. Një vendim për një qeveri që i dëgjon qytetarët dhe punon për ta… E para që duhet të bëjmë është ta themi edhe një herë se pa unitet nuk ka stabilitet. E pa stabilitet nuk ka qeverisje të mirë. Ndërsa, pa qeverisje të mirë, nuk ka paga më të larta, as çmime më të ulëta, as siguri për familjet tona. Prandaj këto zgjedhje duhet t’i shërbejnë bashkimit tonë rreth një qëllimi të përbashkët: një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, ka thënë Hamza.
Hamza tha se gjatë fushatës ka dëgjuar shqetësimet reale të qytetarëve, veçanërisht pensionistëve dhe familjeve që përballen me vështirësi ekonomike.
“Kam dëgjuar shpresë. Por kam dëgjuar edhe zhgënjime. Mbi të gjitha, kam dëgjuar një kërkesë të qartë: “Mos na lini vetëm. Fitoni dhe bëjeni ndryshimin”. Sonte dua t’ua tregoj këtë rrugëtim. Jo për mua. Por, për qytetarët e Kosovës. Ju ftoj ta ndiqni një ri-kapitullim të këtij rrugëtimi që e kemi bërë bashkë këtë muaj… Tani jemi në momentin vendimtar. Mos e lini dikë tjetër të vendosë për ju. Mos e lini votën tuaj në shtëpi. Flisni me familjen. Me miqtë. Me fqinjët. Dhe të dielën në mëngjes dilni dhe votoni. Sigurohuni që të gjithë të dalin dhe ta votojnë numrin 130. Merreni me vete familjen. Ndihmoni prindërit, gjyshërit, fqinjët. Telefononi një mik dhe kujtojani, sepse çdo votë është përgjegjësi”, ka thënë Hamza.
Hamza u bëri thirrje qytetarëve që të dielën të dalin masivisht në votim dhe të votojnë numrin 130, duke theksuar se çdo votë është vendim për të ardhmen e familjeve dhe të Kosovës.
“Gjatë kësaj fushate kam takuar mijëra qytetarë. Kam pasur biseda të këndshme, por edhe të rënda. Megjithatë, një takim nuk do ta harroj kurrë. Një pensionist më tha: “Unë nuk kërkoj luks. Dua vetëm të mos detyrohem të zgjedh mes ilaçeve dhe ushqimit”. Ky nuk është rasti i vetëm që e kam dëgjuar në këto takime. Sepse, kjo është përditshmëria e shumë familjeve në Kosovë. Frikë nga e tashmja dhe nga e ardhmja. Unë e di çfarë do të thotë ta presësh fundin e muajit. E di çfarë do të thotë t’i numërosh shpenzimet. Të mendosh për faturat, për ushqimin, për shkollën e fëmijëve. Dhe pikërisht për këtë arsye unë dhe Partia Demokratike e Kosovës po e kërkojmë besimin tuaj, votën tuaj. Sepse, ju kuptojmë dhe kemi përgjigje për ju, kemi zgjidhje për ju. Ne nuk premtojmë mrekulli. Por premtojmë vendime të drejta dhe të ndjeshme në xhepin e qytetarit…0% TVSH për produktet esenciale, që shporta e familjes të jetë më e përballueshme, 0% TVSH për energjinë elektrike, që fatura të mos jetë barrë. Ulje të tatimit në të ardhura, që më shumë para të mbeten tek ju. Këto janë vendime që ua ndryshojnë jetën. Por, këto ndodhin vetëm nëse ju dilni dhe votoni për Partinë Demokratike të Kosovës…”, ka thënë Hamza.
Hamza theksoi se Kosova ka nevojë për një qeveri që punon për qytetarët, duke u zotuar se PDK-ja do të sjellë paga më të larta, pensione dinjitoze dhe çmime më të ulëta nëse merr besimin e qytetarëve në zgjedhje. A.Krasniqi
