ATK me “llupë”, kush po e mbush arkën e shtetit?

ATK me “llupë”, kush po e mbush arkën e shtetit?

Struktura e të hyrave tatimore në Kosovë vazhdon të dominohet nga tatimet mbi konsumin, duke reflektuar karakterin aktual të ekonomisë dhe nivelin e formalizimit të bizneseve. Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, vlerëson se analiza e të hyrave duhet parë më shumë përmes llojit të tatimeve sesa ndarjes sipas sektorëve, ndërsa thekson se proceset e fiskalizimit dhe analiza e riskut kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e të hyrave dhe uljen e informalitetit.

Sipas Hysenit, identifikimi i sektorëve që kontribuojnë më së shumti në të hyrat tatimore nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë, pasi ATK fokusin kryesor e ka te llojet e tatimeve.

Hyseni në emisionin ekonomik “Shtylla”, shpjegon se pjesa më e madhe e të hyrave buxhetore vjen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili përbën afërsisht gjysmën e të hyrave totale, ndërsa tatimet në të ardhura personale dhe ato në fitimin e korporatave përbëjnë pjesën tjetër.

Ndiqni emisionin e radhës “Shtylla”, këtu: https://www.youtube.com/watch?v=orxa7xi0G8Y

Kjo strukturë, sipas tij, tregon qartë se Kosova ka një ekonomi të orientuar më shumë drejt konsumit sesa prodhimit, pasi TVSH-ja lidhet drejtpërdrejt me shpenzimet dhe jo me investimet apo fitimin. Në të njëjtën kohë, kjo dëshmon se fiskalizimi i bizneseve që merren me shitje dhe prodhim është në një nivel relativisht të mirë.

Duke folur për komunat veriore, Hyseni vlerëson se situata atje është më komplekse jo vetëm për ATK-në, por edhe për institucionet e tjera publike. Megjithatë, ai thekson se ka nisur një proces konkret i fiskalizimit përmes një projekti identifikues me stikersa, që synon evidentimin e bizneseve të regjistruara dhe atyre që operojnë pa u regjistruar.

Ky proces tashmë është shtrirë në të gjitha komunat e vendit dhe pritet të përfundojë brenda rreth gjashtë muajve, i mbështetur edhe nga angazhimi i praktikantëve në terren.

Sa i përket kontrolleve tatimore, Hyseni sqaron se shumica dërrmuese e bizneseve përzgjidhen për kontroll bazuar në analizën e riskut, e cila merr parasysh dhjetëra indikatorë për të vlerësuar nivelin e rrezikut të secilit biznes. Për të shmangur çdo dyshim për qasje selektive, edhe rastet që propozohen nga strukturat rajonale tashmë i nënshtrohen të njëjtës analizë, duke u kontrolluar vetëm nëse rezultojnë me risk të lartë.

Qeveria në detyrë, javë më pare ka marrë vendim për rritjen e pagës minimale, që fillimisht do të jetë 425 euro nga janarim e në korrik në 500 euro. Njoëhës të ekonomisë patën thënë se ky vendim për rritjen e pagës minimale do të ndikojë në informalitet, pasi që bizneset dhe odat e bizneseve thonë se nuk janë konsultuar për një vendim të tillë.

Megjithatë, Hyseni po ashtu vlerëson se rritja e pagës minimale nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rritjen e informalitetit. Ai thekson se të hyrat nga tatimi në paga janë dukshëm më të ulëta krahasuar me TVSH-në, prandaj rritja e pagave pritet të ketë efekt pozitiv në rritjen e të hyrave tatimore.

Sa i përket diasporës, ai sqaron se Kosova ka nënshkruar dhjetëra marrëveshje ndërkombëtare për shmangien e tatimit të dyfishtë, duke u mundësuar investitorëve që të mos tatohen dy herë për të njëjtin fitim. Megjithatë, nuk ekzistojnë politika fiskale të veçanta që favorizojnë mërgatën, përtej lehtësimeve administrative për regjistrimin dhe hapjen e bizneseve përmes modelit “one-stop-shop”.

Megjithatë, pika më fragjile e ATK-së, siç e përshkroi vetë drejtori, mbetet borxhi i grumbulluar prej 600 milionë eurosh. Për të adresuar këtë problem, Hyseni njoftoi një plan për ristrukturimin e procesit të mbledhjes së borxheve. Plani parasheh decentralizimin e kësaj përgjegjësie, duke fuqizuar drejtoritë rajonale për të ndjekur borxhlinjtë.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë