​Shqipëria dhe Kosova në një kombëtare? Flet Armand Duka

​Shqipëria dhe Kosova në një kombëtare? Flet Armand Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka deklaruar se, për sa kohë mbeten dy shtete, secili do të ketë ekipin e vet, por ai nuk e mohon mundësinë e një të ardhmeje ku shqiptarët mund të luajnë nën një Kombëtare të përbashkët. “Ne duhet të kemi një Kombëtare. Por kjo nuk varet nga unë. Unë kështu e mendoj, por nuk kemi gjë në dorë,” tha Duka, duke theksuar se realiteti politik përcakton edhe strukturën e futbollit.

Ai argumentoi se një bashkim do të sillte përfitime të mëdha, jo vetëm për futbollin: “Për sa kohë jemi dy shtete më një komb, do kemi dy ekipe, dy kampionate. Nëse jemi bashkë jemi një vend më i madh, kemi potencial më shumë, jemi treg më i madh. Në të gjitha këndvështrimet është më mirë mendoj, jo vetëm në futboll.”

Duka gjithashtu vlerësoi përfaqësuesen e Kosovës, duke e cilësuar si një skuadër cilësore që po shfaq talent dhe arritje në arenën ndërkombëtare. Por theksi i tij mbeti tek ideja se bashkimi i dy ekipeve një ditë mund të ofrojë një platformë më të fortë dhe një mundësi më të madhe për të synuar sukseset më të mëdha në futboll.

KosovaPress

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë