AUV konfirmon prani të bakteries në qumështin Aptamil, kërkon heqjen nga tregu

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës njofton se, përmes Komisionit Evropian – Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me produktin ushqimor qumësht për fëmijë APTAMIL, në të cilin është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus, si dhe është kërkuar tërheqja e këtij produkti nga tregu, raporton KosovaPress.
“Duke marrë parasysh se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjurmueshmërinë dhe tërheqjen nga tregu të produktit APTAMIL me lot nr. 111444865, i importuar nga Mbretëria e Holandës nga kompania UNION SH.P.K., Vushtrri”, thuhet në njoftimin e AUV.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, duke zbatuar masa parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim që konsumatorëve në Republikën e Kosovës t’u garantohet ushqim i sigurt, i shëndetshëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.
