Klinaku i AAK kritikon “eksperimentet me flamuj”, flet për rikthimin e besimit të ShBA-së

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), biznesmeni nga diaspora, Mehmet Klinaku, është e ndalur edhe te ajo që ai e konsideron si rrezikun më të madh strategjik për Kosovën, ftohjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët evropianë.
Kandidati i AAK-së ishte i drejtpërdrejtë në kritikat e tij ndaj qeverisë aktuale, duke e akuzuar atë për veprime populiste dhe simbolike, siç ishte çështja e largimit të flamujve apo vendime të pakoordinuara, të cilat, sipas tij, nuk kanë sjellë asnjë përfitim substancial, por kanë dëmtuar rëndë besimin me aleatët që garantojnë ekzistencën e shtetit të Kosovës.
“Është elementare me pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata kanë investuar miliarda këtu. Kemi tentuar me do budallakina në atë aspekt që, vallahi heka dy flamura atje e bona diçka kështu, nuk e shoh të nevojshme se s’na duhen këto sende. Është elementare për çdo qytetar të Kosovës që me tentuar me bërë një bashkëpunim…. Është shumë elementare, me, e shoh që hapi i parë që duhet me bë si qeveri e ardhshme, çfarë detyre ka, me i krijuar kushte Shteteve të Bashkuara të Amerikës me bë, me, me, me përmirësuar marrëdhëniet me ta. Sidomos edhe me shtetet evropiane”, tha ai.
Ai theksoi se për çdo qytetar të Kosovës, mbështetja e SHBA-së është ‘elementare’ dhe se asnjë agjendë politike ditore nuk guxon ta rrezikojë këtë partneritet.
Sipas tij, Kosova nuk e ka luksin të sillet si një superfuqi apo të injorojë këshillat e atyre që e çliruan dhe e ndihmuan të pavarësohet.
Klinaku vlerëson se hapi i parë i qeverisë së ardhshme duhet të jetë riparimi i dëmit diplomatik dhe rikthimi i komunikimit të sinqertë me Uashingtonin dhe Brukselin.
Ai e sheh Ramush Haradinajn dhe AAK-në si forcën politike që ka kredibilitetin dhe guximin për ta bërë këtë, duke përmendur procesin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës si shembull se si mund të arrihen objektiva madhorë kur ka koordinim me SHBA-në.
Për Klinakun, anëtarësimi në NATO është synimi final, dhe rruga drejt tij kalon pashmangshmërisht përmes Shtëpisë së Bardhë.
Në analizën e tij, ai hodhi poshtë idenë se perëndimi është kundër Kosovës, duke sqaruar se pakënaqësia ndërkombëtare është e drejtuar ndaj një qeverisjeje specifike dhe jo ndaj shtetit apo popullit.
Megjithatë, ai paralajmëroi se pasojat e izolimit i vuajnë qytetarët dhe ekonomia.
