Jeta me bletët

Jeta me bletët

Në mëngjeset e hershme të Prilepit të Deçanit, para se fshati të zgjohet plotësisht, Jehona është tashmë pranë bletëve. Zhurma e lehtë e krahëve të tyre është muzika e përditshme e jetës së saj. Për Jehonën, bleta nuk është thjesht një insekt, është jetë, punë, sakrificë dhe dashuri e trashëguar brez pas brezi.

Bletaria për të është një amanet familjar, një traditë që vjen si nga familja e saj, ashtu edhe nga ajo e bashkëshortit. Prej saj kanë jetuar në vite të mira dhe në vite më të vështira. Ka pasur sezone me prodhim të bollshëm mjalti dhe sezone më të varfra, por asnjëherë dorëzim.

Jehona Abdullahu-Dabiqaj thotë se kur ka mjaltë ka shpresë.

Nga kjo punë jetojnë katër anëtarë të familjes. Jehona punëson edhe punëtorë sezonalë, duke ndarë punën dhe bukën me të tjerët. Fitimet vjetore kanë arritur deri në 20 mijë euro.

Ajo ka përfunduar master në matematikë dhe tash e tre vite punon si mësimdhënëse, por zemra e saj mbetet gjithmonë te bletët.

“Kam masterin e matematikës, jam edhe profesoreshë e matematikës, tash që tre vite jap mësim këtu me një fshat në Deçan, por asnjëreë nuk mendoj me lanë bletarinë. Nëse më jepet mundësia ose ditarin, ja bletarinë, zgjedhi bletarinë”, rrëfen ajo.

Në vitin 2024, puna e saj u njoh edhe ndërkombëtarisht, ajo u rendit e 12-ta në botë për cilësinë e mjaltit, mes mbi 115 pjesëmarrëseve nga shumë shtete.

Por suksesi më i madh për Jehonën nuk janë çmimet. Është bleta vetë. Ajo e mbron edhe me fjalë, sa herë dikush flet keq për të. “Jam zënë me njerëz vetëm që të mos flasin keq për bletën”, thotë ajo. Sepse për Jehonën, bleta nuk është insekt. Është jetë. Dhe jeta mbrohet.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë