Në moshën 74-vjeçare, Koubek merr timonin e Çekisë drejt Botërorit 2026

Miroslav Koubek është emëruar trajneri i ri i Republikës Çeke në moshën 74-vjeçare, me objektivin kryesor kualifikimin në Kupën e Botës 2026. Federata çeke konfirmoi vendimin këtë të premte, ndërsa trajneri me përvojë do ta nisë menjëherë punën për ndeshjet eliminatore të planifikuara për në muajin mars.
Koubek vjen në krye të kombëtares pas largimit të Ivan Hasek, i shkarkuar gjatë fazës kualifikuese pas humbjes 2-1 ndaj Ishujve Faroe. Ish-trajneri i Plzen, i cili ishte pa klub që nga shtatori, ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare e gjysmë, me synimin për ta rikthyer Çekinë në një Botëror për herë të parë që nga viti 2006.
Në fazën eliminatore evropiane, çekët do të përballen fillimisht me Irlandën dhe, në rast fitoreje, do të luajnë kundër Danimarkës ose Maqedonisë së Veriut për një vend në turneun e vitit 2026. Nëse kualifikohen, Republika Çeke do të jetë pjesë e Grupit A, së bashku me Meksikën, Afrikën e Jugut dhe Korenë e Jugut.
