KosovaPress pjesë e panairit më të madh ndërkombëtar të biznesit në Tiranë

Në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve në Tiranë është vendosur stenda e Agjencisë së Lajmeve KosovaPress. Agjencia e lajmeve nga Kosova edhe këtë vit po merr pjesë në panairin më të madh ndërkombëtar të biznesit në Tiranë.
Të shumtë janë pjesëmarrësit të cilët po vizitojnë stendën e KosovaPress, ku po prezantohet historiku, puna dhe shërbimet.
Hapja e panairit “Klik Ekspo Group” është bërë mbrëmë, ndërkaq do të jetë i hapur deri me datën 8 nëntor.
Në tri katet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë janë të pranishëm flamujt e më shume se 20 vendeve të botës.
Motoja e edicionit të sivjetmë është “Dritare drejt së ardhmes”, i cili në fokus ka zhvillimin e qëndrueshëm të “Shqipërisë 2030”.
Në edicionin e 31-të të këtij panairi, marrin pjesë mbi 250 kompani të ndryshme dhe institucione kryesore, inovatorë, ndërtues, të gjithë të mbledhur nën një çati.



