Mbi 250 kompani nga 20 vende të botës pjesë e Panairit Klik Ekspo Group në Tiranë

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë është bërë hapja e panairit më të madh ndërkombëtar të biznesit “Klik Ekspo Group”, raporton KosovaPress.
Panairi vjen me moton “Windows into the Future”, duke shënuar nisjen e një faze të re zhvillimi, që lidhet ngushtë me vizionin “Shqipëria 2030” dhe proceset transformuese.
Në edicionin e 31-të të këtij panairi, marrin pjesë mbi 250 kompani të ndryshme nga 20 vende të botës, ka thënë menaxheri i përgjithshëm i këtij panairi, Luel Muhametaj.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj ka folur për progresin e arritur ndër vite të Shqipërisë në ekonomi.
“Shqipëria sigurisht qe nuk është më si në vitet e 90-ta. Është një Shqipëri krejtësisht tjetër me potencial për shumë sektorë të ekonomisë. Është një Shqipëri që po mundohet të tërheq jo vetëm sektorët e huaj, por edhe në inovacion jemi munduar të hartojmë baza ligjore dhe tërheqëse”, tha ajo.
Në këtë panair merr pjesë edhe Agjencia e Lajmeve KosovaPress.
Në këta 31 vjet, mbi 30 mijë kompani janë prezantuar në “Klik Ekspo Group”.
Panairi i biznesit “Klik Ekspo Group” do të qëndrojë i hapur deri me datën 8 nëntor.
