Gjykimi për tregun e lirë, mbrojtja: Vendimi i ZRRE-së me efekt gati shkatërrues për ekonominë vendore

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për daljen e bizneseve në treg të hapur energjetik ka efekt gati shkatërrues për ekonominë vendore.
Kështu tha avokati i Odës Ekonomike të Kosovës në Gjykatën Supreme gjatë seancsë gjyqësore lidhur me padinë e iniciuar nga OEK kundër ZRRE, për daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Në këtë seancë ku diskutoj për energjinë elektrike herë pas here pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
https://kosovapress.com/tregu-i-lire-energjetik-goditje-nen-brez-per-prodhuesit-vendore-dhe-bizneset
Avokati i Odës Ekonomike të Kosovës, Ekrem Hoxha teksa paraqiti padinë tha se komuniteti i biznesit nuk ka qenë i përgatitur për këtë proces i cili siç vlerësoi ai me efekt shkatërrimi të ekonomisë vendore.
“Jo se e kanë kundërshtuar procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, por kanë potencuar nevojën e një faze tranzitore për të ardhur deri te ky proces, meqenëse komuniteti i bizneseve apo konsumatorët jo familjarë kanë qenë të papërgatitur për një ndryshim radikal me efekte gati shkatërruese për ekonominë vendore. E paditura me kokëfortësi dhe refuzim të paarsyetuar administrativo-ligjor përkundër që ka pasur obligim ligjor nga ligji për energji elektrike faza tranzitore e cekur në padi ka shkelur ligjin — këtu vjen në shprehje paligjshmëria, meqë e njëjta ka pasur obligim dhe detyrim ligjor të kryejë një analizë të konkurrencës reale në sektorin e energjisë elektrike, këtë nuk e ka bërë dhe nuk e ka bërë me vetëdije të plotë duke shmangur detyrimin ligjor dhe krijuar favore për një operator privat si KESCO, si dhe disa operatorë tregtar të tjerë të licencuar së fundmi për të kamufluar kinse konkurrencën reale në treg”, deklaroi ai.
Hoxha theksoi se arsyetimi i ZRRE-së se liberalizimi i tregut energjetik është detyrim ligjor është një referim i zbehtë.
“Konkurrenca reale në treg provohet edhe nga të dhënat publike që nuk ekziston fare, pse e themi këtë se nuk ekziston fare sepse këta operatorët e tjerë nuk garantojnë furnizim me energji elektrike dhe në 90% të rasteve nuk parashtrojnë oferta fare në kërkesat e konsumatorëve jo familjar. Vetë ligji për energji elektrike në hyrje të tij potencon se është në përputhje të pjesshme me direktivat e BE-së dhe thirrja e paditurës se liberalizimi është detyrim nga këto direktiva është vetëm një referim i zbehtë për të arsyetuar një vendimmarrje të marrë nga ZRRE”, u shpreh Hoxha.
Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymridin Misini u shpreh se padia e bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës nuk ka bazë ligjore dhe fakte.
Misini tha se procesi I liberalizimit të tregut energjetik është detyrim ligjor dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vepruar në përputhje me kompetencat e saj ligjore dhe ndërkombëtare që ka në këtë drejtim.
Përfaqësuesi ligjor i ZRRE-së theksoi se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike nuk ka lënë asnjë konsumatorë pa furnizim me rrymë.
E në fund të kësaj seance në Supreme nga trupi gjykues u bë e ditur se vendimi do t’u bëhet i ditur palëve brenda afatit ligjor.
E pas përfundimit të seancës gjyqësore në Supreme, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se para trupit gjykues argumentuan se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike nuk ka shkuar siç duhet.
Më 19 gusht 2025, në Gjykatën Supreme Oda Ekonomike e Kosovës kishte dorëzuar padi ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë , lidhur me daljen e bizneseve në treg të lirë të energjisë.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025, me të cilin të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur.
Bizneset vendore kanë shprehur shqetësim të thellë për çështjen e liberalizimit të tregut energjetik, i cili sipas tyre rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend, si dhe rrezikun e largimit masiv të punëtorëve. /B.Ibishi/
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…
